Kalo te përmbajtja

Çfarë është Pashka?

Çfarë është Pashka?

Përgjigjja e Biblës

 Pashka a është një festë judaike që përkujton çlirimin që u solli Perëndia izraelitëve nga skllavëria egjiptiane më 1513 p.e.s. Perëndia i urdhëroi izraelitët që ta kujtonin këtë ngjarje të rëndësishme çdo vit ditën e 14-të të muajit judaik abib, i cili më vonë u quajt nisan.​—Dalja 12:42; Levitiku 23:5.

Pse quhej Pashkë?

 Fjala «Pashkë» i referohet ngjarjes kur Perëndia i mbrojti izraelitët nga gjëma që solli vdekjen e çdo të parëlinduri të Egjiptit. (Dalja 12:27; 13:15) Përpara se Zoti të sillte këtë plagë shkretuese, u tha izraelitëve që të spërkatnin pjesën e sipërme të hyrjeve me gjakun e një qengji ose të një keci të therur. (Dalja 12:21, 22) Perëndia do ta shihte këtë shenjë e ‘do t’i kalonte’ shtëpitë e tyre, duke ua kursyer jetën të parëlindurve të tyre.​—Dalja 12:​7, 13.

Si kremtohej Pashka në kohët biblike?

 Perëndia i udhëzoi izraelitët si të kremtonin Pashkën e parë. b Më poshtë renditen disa veçori të Pashkëve të përmendura në Bibël.

  •   Flijimi: Familjet zgjidhnin një qengj njëvjeçar (ose kec) ditën e 10-të të muajit abib (nisan) dhe e thernin ditën e 14-të. Gjatë Pashkës së parë, izraelitët i spërkatën me gjak shtalkat dhe pjesën e sipërme të hyrjeve të shtëpive, pastaj e poqën kafshën dhe e hëngrën.​—Dalja 12:​3-9.

  •   Vakti: Përveç qengjit (ose kecit), izraelitët hanin kuleç të ndormë dhe barishte të hidhura si pjesë të vaktit të Pashkës.​—Dalja 12:8.

  •   Festa: Izraelitët e kremtonin Festën e Kuleçve të Ndormë për shtatë ditë me radhë pas Pashkës dhe gjatë kësaj kohe nuk hanin kuleç të ndormë.​—Dalja 12:17-​20; 2 Kronikave 30:21.

  •   Mësimi: Prindërit e shfrytëzonin periudhën e Pashkës që t’i mësonin fëmijët për Perëndinë Jehova.​—Dalja 12:25-27.

  •   Udhëtimi: Më vonë izraelitët udhëtonin për në Jerusalem që të kremtonin Pashkën.​—Ligji i përtërirë 16:​5-7; Luka 2:​41.

  •   Zakone të tjera: Në ditët e Jezuit, gjatë kremtimit të Pashkës këndonin dhe pinin verë.​—Mateu 26:19, 30; Luka 22:15-​18.

Ide të gabuara për Pashkën

 Ide e gabuar: Izraelitët e hëngrën vaktin e Pashkës më 15 nisan.

 Fakt: Zoti i urdhëroi izraelitët ta thernin qengjin fill pas perëndimit të diellit më 14 nisan dhe ta hanin brenda së njëjtës natë. (Dalja 12:​6, 8) Izraelitët e llogaritnin ditën nga mbrëmja deri mbrëmjen e së nesërmes. (Levitiku 23:32) Kështu, izraelitët therën qengjin dhe hëngrën vaktin e Pashkës në fillim të ditës së 14 nisanit.

 Ide e gabuar: Të krishterët duhet ta festojnë Pashkën.

 Fakt: Pasi Jezui kremtoi Pashkën më 14 nisan të vitit 33 të e.s, themeloi një kremtim të ri: Darkën e Zotërisë. (Luka 22:19, 20; 1 Korintasve 11:20) Kjo darkë zëvendësoi Pashkën, ngaqë përkujton flijimin e ‘Krishtit, [qengjit] të Pashkës’. (1 Korintasve 5:7) Flijimi shpërblyes i Jezuit qëndron shumë më lart se flijimi i Pashkës, sepse i çliron të gjithë njerëzit nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes.​—Mateu 20:28; Hebrenjve 9:​15.

a Në këtë artikull, fjala Pashkë i referohet Pashkës Judaike, ose Festës së Kalimit, dhe jo Pashkës që feston sot shumica e të krishterëve.

b Megjithatë duheshin bërë disa ndryshime me kalimin e kohës. Për shembull, izraelitët e kremtuan «me nxitim» Pashkën e parë, sepse duhej të bëheshin gati për t’u larguar nga Egjipti. (Dalja 12:11) Por, kur arritën në Tokën e Premtuar, ata nuk kishin pse ta kremtonin më me nxitim.