Kalo te përmbajtja

Cili ishte mëkati i parë?

Cili ishte mëkati i parë?

Përgjigjja e Biblës

 Adami dhe Eva ishin njerëzit e parë që mëkatuan. Ata nuk iu bindën Perëndisë kur hëngrën nga «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». Kështu kryen atë që shumë veta e quajnë mëkati i parë. a (Zanafilla 2:16, 17; 3:6; Romakëve 5:19) Adami dhe Eva nuk duhej të hanin nga pema, pasi ajo përfaqësonte autoritetin e Perëndisë, ose të drejtën e tij, për të vendosur çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar. Duke ngrënë nga pema, treguan se donin ta merrnin situatën nën kontroll dhe të vendosnin vetë çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar. Kështu hodhën poshtë autoritetin e Perëndisë.

 Si ndikoi tek Adami dhe Eva «mëkati i parë»?

 Ngaqë mëkatuan, Adami dhe Eva u plakën dhe vdiqën. Ata e prishën miqësinë me Perëndinë dhe humbën mundësinë për të jetuar përgjithmonë me shëndet të përsosur.—Zanafilla 3:19.

 Si ndikon te ne «mëkati i parë»?

 Adami dhe Eva ua trashëguan mëkatin gjithë pasardhësve të tyre, njësoj si defektet gjenetike, që prindërit ua trashëgojnë fëmijëve. (Romakëve 5:12) Prandaj, të gjithë njerëzit kanë lindur «në mëkat», b domethënë të papërsosur dhe me prirjen për të gabuar.—Psalmi 51:5; Efesianëve 2:3.

 Për shkak të mëkatit të trashëguar, ose papërsosmërisë, sëmuremi, plakemi dhe vdesim. (Romakëve 6:23) Gjithashtu vuajmë edhe pasojat e gabimeve tona ose të të tjerëve.—Eklisiastiu 8:9; Jakovi 3:2.

 A mund të çlirohemi nga pasojat e «mëkatit të parë»?

 Po. Bibla thotë se Jezui vdiq si «një flijim shlyes për mëkatet tona». (1 Gjonit 4:10, shënimi, nwt) Flijimi i Jezuit mund të na çlirojë nga pasojat e mëkatit të trashëguar dhe kështu mund të kemi atë që humbën Adami dhe Eva—shpresën për të jetuar përgjithmonë me shëndet të përsosur.—Gjoni 3:16. c

 Koncepte të gabuara për «mëkatin e parë»

 Koncept i gabuar: Mëkati i parë na ndan një herë e përgjithmonë nga Perëndia.

 Fakt: Perëndia nuk na fajëson neve për atë që bënë Adami dhe Eva. Ai e di që jemi të papërsosur, ndaj nuk pret më shumë se sa është e arsyeshme. (Psalmi 103:14) Ndonëse po vuajmë për shkak të mëkatit të trashëguar, kemi mundësinë dhe privilegjin të jemi miq të ngushtë me Perëndinë.—Proverbat 3:32.

 Koncept i gabuar: Pagëzimi na liron nga mëkati i parë, prandaj foshnjat duhet të pagëzohen.

 Fakt: Edhe pse pagëzimi është një hap jetësor për të shpëtuar, vetëm besimi te flijimi i Jezuit mund ta pastrojë dikë nga mëkati. (1 Pjetrit 3:21; 1 Gjonit 1:7) Meqenëse besimi i vërtetë bazohet te njohuria, është e pamundur që foshnjat të kenë besim. Prandaj, Bibla nuk e miraton pagëzimin e foshnjave. Në fakt, të krishterët e hershëm nuk pagëzonin foshnja, por besimtarë, pra, «burra e gra» që kishin besim te Fjala e Perëndisë.—Veprat 2:41; 8:12.

 Koncept i gabuar: Perëndia mallkoi gratë, sepse Eva ishte e para që hëngri frutin e ndaluar.

 Fakt: Perëndia nuk mallkoi gratë, por ‘gjarprin e hershëm, që quhet Djall dhe Satana’, i cili e nxiti Evën të mëkatonte. (Zbulesa 12:9; Zanafilla 3:14) Për më tepër, Ai konsideroi Adamin përgjegjës kryesor për mëkatin e parë, jo të shoqen.—Romakëve 5:12.

 Pse Perëndia tha se Adami do të sundonte mbi gruan e vet? (Zanafilla 3:16) Kur tha këto fjalë, nuk po miratonte këtë lloj trajtimi ndaj grave, thjesht po parathoshte një nga pasojat e këqija të mëkatit. Zoti pret që burri ta dojë dhe ta nderojë gruan e tij dhe të tregojë respekt të thellë për të gjitha gratë.—Efesianëve 5:25; 1 Pjetrit 3:7.

 Koncept i gabuar: Mëkati i parë ishte marrëdhënia seksuale.

 Fakt: Mëkati i parë nuk mund të ketë qenë marrëdhënia seksuale për këto arsye:

  •   Zoti e urdhëroi Adamin të mos hante nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes kur ai ishte vetëm. E shoqja nuk ishte krijuar akoma.—Zanafilla 2:17, 18.

  •   Perëndia i udhëzoi Adamin dhe Evën të ishin ‘të frytshëm dhe të shumoheshin’, pra të kishin fëmijë. (Zanafilla 1:28) Do të ishte mizore që Perëndia ta ndëshkonte çiftin e parë ngaqë iu bindën urdhrit të tij.

  •   Adami dhe Eva mëkatuan veç e veç—në fillim Eva, pastaj burri i saj.—Zanafilla 3:6.

  •   Bibla i miraton marrëdhëniet seksuale midis bashkëshortëve.—Proverbat 5:18, 19; 1 Korintasve 7:3.

a Shprehja «mëkati i parë» nuk gjendet në Bibël. Faktikisht, mëkati i parë i regjistruar në Bibël, është mashtrimi i Satanait dhe gënjeshtra flagrante që i tha Evës.—Zanafilla 3:4, 5; Gjoni 8:44.

b Në Bibël, fjala «mëkat» nuk u referohet vetëm veprave të gabuara, por edhe papërsosmërisë, ose gjendjes mëkatare, që trashëguam.

c Për të mësuar më shumë për flijimin e Jezuit dhe për dobitë që nxjerrim prej tij, shih artikullin «Jezui shpëton: Por, si?»