Kalo te përmbajtja

Çfarë thotë Bibla për kujdesin për prindërit e moshuar?

Çfarë thotë Bibla për kujdesin për prindërit e moshuar?

Përgjigjja e Biblës

 Fëmijët e rritur kanë një përgjegjësi me peshë që të kujdesen për prindërit e moshuar. Bibla thotë se fëmijët duhet «t’i përmbushin detyrat e tyre ndaj familjes, dhe t’ua shpërblejnë [prindërve]. . . . Kjo i pëlqen Perëndisë». (1 Timoteut 5:4, Bibla ECM) Gjithashtu, kur fëmijët kujdesen për prindërit e moshuar, po i binden urdhrit nga Bibla që t’i nderojnë prindërit.—Efesianëve 6:2, 3.

 Në Bibël nuk gjejmë udhëzime specifike se si duhet të kujdesemi për prindërit e moshuar. Ama gjejmë shembuj të burrave dhe të grave me besim që u kujdesën mirë për prindërit. Ajo përmban edhe sugjerime praktike që mund t’i ndihmojnë personat që kujdesen për të moshuarit.

  Si kujdeseshin për prindërit e moshuar disa familjarë që përmenden në Bibël?

 Ata kujdeseshin në mënyra të ndryshme, në varësi të rrethanave.

  •   Jozefi jetonte larg të atit të moshuar, Jakobit. Kur iu krijua mundësia, Jozefi mori masa ta sillte aty ku jetonte. Pastaj i siguroi strehim, ushqim dhe mbrojtje.—Zanafilla 45:9-11; 47:11, 12.

  •   Rutha emigroi në vendin e së vjehrrës dhe punoi pa u lodhur që të kujdesej për të.—Rutha 1:16; 2:2, 17, 18, 23.

  •   Jezui, pak para se të vdiste, zgjodhi dikë që të kujdesej për nënën, Marinë, që me sa duket ishte vejushë.—Gjoni 19:26, 27. a

 Cilat sugjerime nga Bibla mund t’i ndihmojnë ata që kujdesen për të moshuarit?

 Bibla ka parime që mund t’i ndihmojnë ata që kujdesen për prindërit e moshuar, t’ia dalin mbanë edhe kur ndonjëherë ndihen të sfilitur fizikisht dhe emocionalisht.

  •   Ndero prindërit

     Bibla thotë: «Ndero atin dhe nënën tënde.»—Dalja 20:12.

     Si ta zbatoj këtë parim? Nderoji prindërit, duke i lënë të pavarur, për aq sa ua lejojnë rrethanat. Sa të jetë e mundur, lëri të marrin vendime për kujdesin që duan. Në të njëjtën kohë nderoji, duke bërë aq sa ke në dorë për t’i ndihmuar.

  •   Ji mirëkuptues dhe falës

     Bibla thotë: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut, dhe sa bukur është ta anashkalojë fyerjen.»—Proverbat 19:11, nwt.

     Si ta zbatoj këtë parim? Nëse prindi i moshuar thotë diçka që të lëndon ose duket se nuk është mirënjohës, pyet veten: «Si do të ndihesha po të kisha të njëjtat kufizime a siklete?» Kur bën çmos të jesh mirëkuptues dhe falës, mund të mos e rëndosh më tej situatën.

  •   Merr mendimin e të tjerëve

     Bibla thotë: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.»—Proverbat 15:22.

     Si ta zbatoj këtë parim? Bëj kërkime se çfarë mund të bësh për problemet shëndetësore të prindërve. Informohu për mundësitë që ofron shteti, që ta kesh më të lehtë të kujdesesh për ta. Fol me të tjerë që janë kujdesur për prindërit e moshuar. Nëse ke vëllezër e motra, pse të mos mblidheni si familje që të diskutoni për nevojat e prindërve, si të kujdeseni për ta dhe si të ndani përgjegjësitë.

    Pse të mos mblidheni bashkë si familje që të diskutoni për prindërit e moshuar

  •   Ji modest

     Bibla thotë: «Mençuria është me modestët.»—Proverbat 11:2.

     Si ta zbatoj këtë parim? Prano që ke kufizime. Për shembull, askush nuk ka kohë dhe energji pa fund dhe kjo mund të ndikojë te kujdesi që mund t’u ofrosh prindërve. Nëse ndien se po të zihet fryma nga gjithë sa po bën për prindërit e moshuar, do të bëje mirë të kërkoje ndihmë nga familja ose nga ata që kujdesen për të moshuarit.

  •   Kujdesu për veten

     Bibla thotë: «Asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të.»—Efesianëve 5:29.

     Si ta zbatoj këtë parim? Edhe pse ke përgjegjësinë të kujdesesh për prindërit, duhet të kujdesesh edhe për veten e për familjen tënde. Duhet të hash mirë dhe të pushosh e të flesh mjaftueshëm. (Eklisiastiu 4:6) Përpiqu të gjesh pak kohë për veten. Atëherë do të jesh më në gjendje emocionalisht, mendërisht dhe fizikisht që të kujdesesh për prindërit.

 A thotë Bibla se duhet të kujdesemi vetëm në shtëpi për prindërit e moshuar?

 Në Bibël nuk thuhet specifikisht nëse duhet të kujdesemi vetëm në shtëpi për prindërit. Disa familje kanë vendosur të kujdesen në shtëpi për prindërit e moshuar sa të jetë e mundur. Megjithatë mund të vijë koha kur mund të mendojnë se do të ishte më mirë po t’i çonin në një shtëpi për të moshuarit. Familja mund të mblidhet bashkë për të vendosur çfarë është më e mira për këdo.—Galatasve 6:4, 5.

a Një libër shpjegues për Biblën, komenton: «Duket se Jozefi [bashkëshorti i Marisë] kishte vdekur prej kohësh, prandaj i biri, Jezui, po e ndihmonte. Mirëpo, si do t’i vente halli tani që ai po vdiste? . . . Në këtë rast, Krishti po mëson fëmijët si të kujdesen për prindërit e moshuar.»—The NIV Matthew Henry Commentary in One Volume, faqet 428-429.