Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Gjuha e maces

Gjuha e maces

 Macet shtëpiake spikatin si kafshë që kujdesen shumë për veten. Ato mund kalojnë deri në një të katërtën e kohës që janë zgjuar duke u pastruar. Ky zakon është i efektshëm vetëm falë gjuhës së maces të projektuar në mënyrë të mrekullueshme.

 Shqyrto: Gjuha e maces është e mbuluar nga 290 puprri, pra, gjemba të vegjël të drejtuar nga brenda që janë po aq të fortë sa thonjtë. Çdo puprri ka një kanal që e mbledh menjëherë pështymën kur macja fut gjuhën brenda gojës. Ndërsa macja lëpin gëzofin e saj, puprri depërton mes qimeve dhe lëshon pështymën në lëkurë.

Një pamje e zmadhuar e puprrive

 Çdo ditë gjuha e maces lëshon rreth 48 mililitra pështymë në lëkurën dhe gëzofin e maces. Pështyma përmban enzima që shpërbëjnë elementët ndotës. Veç kësaj, ndërsa pështyma avullon, ndihmon në uljen e temperaturës së trupit të maces. Kjo është jetësore për këtë kafshë pasi ajo ka pak gjëndra djerse.

 Kur puprritë gjejnë ndonjë lëmsh qimesh, shkojnë edhe me thellë në gëzof. Kjo rrit ndjeshëm forcën që ushtron te lëmshi derisa e zgjidh. Majat e puprrive mund edhe të përtërijnë lëkurën e maces kur ajo kujdeset për të. Studiuesit kanë imituar veçoritë e gjuhës së maces kur bënë një furçë flokësh eksperimentale. Me këtë furçë i kreh flokët më kollaj se me një krehër normal dhe mund të çkokolepsësh flokët. Gjithashtu pastrohet lehtë. Ata besojnë se gjuha e maces mund t’i ndihmojë të gjejnë mënyra të reja për të pastruar sipërfaqe me qime të shpupuritura. Madje mund të përmirësojë metodat e aplikimit të kremrave ose të ilaçeve në lëkurë të mbuluar me qime.

 Si mendon? A erdhi me evolucion gjuha e maces? Apo është projektuar?