Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shkenca dhe tregimi i Zanafillës

Shkenca dhe tregimi i Zanafillës

Shumë veta thonë se shkenca e hedh poshtë tregimin biblik të krijimit. Por në të vërtetë kontradikta nuk qëndron mes shkencës dhe Biblës, por mes shkencës dhe bindjeve të disa grupeve fetare që thonë në mënyrë të rreme se, sipas Biblës, i gjithë krijimi fizik u bë në gjashtë ditë 24-orëshe, rreth 10.000 vjet më parë.

Megjithatë, Bibla nuk e mbështet këtë ide. Nëse do të ishte kështu, atëherë shumë zbulime shkencore që janë bërë shekullin e fundit, do të hidhnin vërtet dyshime mbi saktësinë e saj. Një studim i kujdesshëm i Biblës zbulon se ajo nuk bie ndesh aspak me faktet shkencore të provuara. Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait nuk janë dakord me shumë nga këto grupe fetare që përkrahin këtë teori. Në vazhdim do të shohim se çfarë mëson vërtet Bibla.

Zanafilla nuk tregon se Toka dhe universi u krijuan në gjashtë ditë 24-orëshe, vetëm disa mijëra vjet më parë

Kur ishte ‘fillimi’?

Tregimi i Zanafillës nis me një pohim të thjeshtë, por të fuqishëm: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Shumë studiues të Biblës janë dakord se ky pohim tregon një veprim të ndarë nga ajo që ndodhi gjatë ditëve të krijimit për të cilat flitet nga vargu 3 e më tej. Domethënia është e thellë. Sipas fjalëve hapëse të Biblës, universi, përfshirë edhe planetin Tokë, ekzistonte prej një kohe të pacaktuar, përpara se të fillonin ditët e krijimit.

Gjeologët llogaritin se Toka është 4 miliardë vjet e lashtë dhe astronomët thonë se universi mund të ketë 15 miliardë vjet që ekziston. A bien ndesh me Zanafillën 1:1 këto zbulime ose zbulime të tjera më të sakta që mund të bëhen nesër? Jo. Bibla nuk e specifikon moshën e ‘qiejve dhe të tokës’. Shkenca nuk bie ndesh me tekstin e Biblës.

Sa të gjata ishin ditët e krijimit?

Ç’të themi për gjatësinë e ditëve të krijimit? A ishin vërtet ditë 24-orëshe? Disa thonë se meqë Moisiu—shkrimtari i Zanafillës—më vonë iu referua ditës që pasoi gjashtë ditët e krijimit si një model për sabatin e përjavshëm, secila nga ditët e krijimit duhet të ketë qenë 24-orëshe. (Dalja 20:11) A e mbështetin këtë përfundim fjalët e Zanafillës?

Jo, aspak. Në fakt, fjala hebraike e përkthyer «ditë» mund të nënkuptojë periudha të ndryshme kohore, jo vetëm një periudhë 24-orëshe. Për shembull, kur e përmblodhi veprën krijuese të Perëndisë, Moisiu iu referua të gjashta ditëve të krijimit si një ditë e vetme. (Zanafilla 2:4) Përveç kësaj, në ditën e parë të krijimit, «Perëndia nisi ta quante dritën Ditë, kurse errësirën e quajti Natë». (Zanafilla 1:5) Këtu, fjala «ditë» përdoret vetëm për një pjesë të periudhës 24-orëshe. Sigurisht, nuk ka asnjë bazë në Shkrime për të bërë pohime arbitrare se çdo ditë e krijimit ishte 24-orëshe.

Por, atëherë, sa të gjata ishin ditët e krijimit? Bibla nuk e thotë, por gjuha e përdorur në kapitujt 1 dhe 2 të Zanafillës, tregon se ato përfshinin sasi të konsiderueshme kohe.

Gjashtë periudha krijimi

Moisiu e shkroi tregimin e tij në hebraisht dhe nga këndvështrimi i një njeriu në tokë. Këto dy fakte, bashkë me njohurinë se universi ekzistonte përpara se të fillonin periudhat ose ditët e krijimit, u japin fund shumë polemikave rreth tregimit të krijimit. Si e bëjnë këtë?

Disa ngjarje që filluan në një «ditë», vazhduan edhe në një ose disa «ditë» të tjera

Një shqyrtim i kujdesshëm i tregimit të Zanafillës bën të qartë se disa ngjarje filluan në një «ditë» e vazhduan edhe në një ose disa «ditë» të tjera. Për shembull, përpara se të fillonte «dita» e parë e krijimit, dielli tashmë ekzistonte, por drita e tij në njëfarë mënyre nuk arrinte dot deri në sipërfaqen e Tokës, ndoshta për shkak të reve të dendura. (Jobi 38:9) Gjatë «ditës» së parë, kjo barrierë nisi të davaritej, duke lejuar që drita e shpërhapur të depërtonte në atmosferë. *

«Ditën» e dytë, atmosfera me sa duket vazhdoi të qartësohej, duke formuar një hapësirë ndërmjet reve të dendura sipër dhe oqeanit poshtë. «Ditën» e katërt, atmosfera gradualisht ishte qartësuar në atë masë, saqë dielli dhe hëna dolën «në hapësirën e qiejve». (Zanafilla 1:14-16) Me fjalë të tjera, nga këndvështrimi i një njeriu në tokë, dielli dhe hëna u bënë të dukshëm. Këto ngjarje ndodhën gradualisht.

Zanafilla tregon edhe se, ndërsa atmosfera qartësohej, «ditën» e pestë nisën të shfaqeshin krijesa fluturuese, që përfshinin insektet dhe krijesat me krahë.

Tregimi i Biblës e lejon mundësinë që disa ngjarje kryesore të secilës ditë ose periudhë krijimi, të kenë ndodhur gradualisht dhe jo menjëherë, e ndoshta disa prej tyre vazhduan edhe gjatë ditëve të tjera të krijimit. *

Sipas llojit të vet

Mos vallë kjo shfaqje graduale e bimëve dhe e kafshëve tregon se Perëndia përdori evolucionin për të prodhuar larminë e jashtëzakonshme të gjallesave? Jo. Në Shkrime thuhet qartë se Perëndia krijoi të gjitha «llojet» bazë të bimëve dhe të kafshëve. (Zanafilla 1:11, 12, 20-25) A ishin programuar këto «lloje» origjinale të bimëve dhe të kafshëve për t’u përshtatur me ndryshimet e mjedisit? Cili është kufiri i një «lloji»? Bibla nuk thotë gjë. Megjithatë, ajo pohon se krijesat e gjalla ‘gëlonin, secila sipas llojit të vet’. (Zanafilla 1:21) Ky pohim tregon se ka një kufi për larminë që mund të ketë brenda një «lloji». Si gjetjet fosile, ashtu edhe kërkimet e sotme mbështetin idenë se gjatë periudhave të mëdha kohore, kategoritë kryesore të bimëve dhe të kafshëve kanë ndryshuar shumë pak.

Kërkimet e sotme vërtetojnë se të gjitha gjërat e gjalla riprodhohen ‘sipas llojit të tyre’

Ndryshe nga ajo që thonë disa grupe fetare, Zanafilla nuk mëson se universi—përfshirë Tokën dhe të gjitha gjallesat në të—u krijua në një periudhë të shkurtër, jo shumë kohë më parë. Përkundrazi, disa aspekte të përshkrimit të Zanafillës për krijimin e universit dhe për fillimin e jetës në tokë, janë në harmoni me zbulime shkencore të kohëve të fundit.

Shumë shkencëtarë e hedhin poshtë pohimin e Biblës se Perëndia krijoi gjithçka, pasi besojnë në idetë e tyre ose në idetë e propaganduara nga shkencëtarë të tjerë. Gjithsesi, është interesante se në librin e lashtë biblik të Zanafillës, Moisiu shkroi se universi pati një fillim dhe se jeta u shfaq në disa faza, progresivisht, në periudha kohe. Nga e dinte Moisiu rreth 3.500 vjet më parë këtë informacion të saktë shkencor? Ka vetëm një shpjegim të logjikshëm. Ai që kishte fuqinë e mençurinë të krijonte qiejt dhe tokën, sigurisht që mund t’ia jepte Moisiut këtë njohuri të përparuar shkencore. Kjo u jep më tepër peshë fjalëve të Biblës se ajo është ‘e frymëzuar nga Perëndia’. *2 Timoteut 3:16.

Por, ndoshta ti pyet veten: a ka vërtet rëndësi nëse e besoj apo jo tregimin biblik të krijimit? Shqyrto disa arsye bindëse përse përgjigjja ka rëndësi.

^ par. 13 Kur përshkruhet ç’ndodhi «ditën» e parë, fjala hebraike e përdorur për dritën është ‘ohr, pra dritë në kuptimin e përgjithshëm, por për «ditën» e katërt, fjala e përdorur është ma’ohrʹ, që i referohet burimit të dritës.

^ par. 16 Për shembull, gjatë ditës së gjashtë të krijimit, Perëndia dekretoi që njerëzit ‘të shumoheshin e ta mbushnin tokën’. (Zanafilla 1:28, 31) Megjithatë, kjo ngjarje nisi të ndodhte vetëm «ditën» tjetër.Zanafilla 2:2.

^ par. 20 Për më tepër informacion shih videon e shkurtër Si të jemi të sigurt se Bibla është e besueshme? në jw.org.