Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 08

Ti mund të jesh mik i Jehovait

Ti mund të jesh mik i Jehovait

Jehovai dëshiron që ta njohësh më mirë. Pse? Ai shpreson se duke mësuar për personalitetin e tij, për mënyrën si vepron dhe për qëllimin e tij, do të të shtohet dëshira për të qenë mik me të. Por, a është e mundur të jesh mik i Perëndisë? (Lexo Psalmin 25:14.) Çfarë duhet të bësh që të jesh mik me të? Bibla u jep përgjigje këtyre pyetjeve dhe na tregon pse Jehovai është miku më i mirë që mund të kemi.

1. Çfarë ftese të bën Jehovai?

«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Çfarë do të thotë kjo? Jehovai po të fton të bëhesh miku i tij. Disa e kanë të vështirë të imagjinojnë se mund të jenë miq me dikë që nuk e shohin, aq më tepër me vetë Perëndinë. Megjithatë, në Fjalën e tij, Biblën, Jehovai na tregon çdo gjë që duhet të dimë rreth personalitetit të tij në mënyrë që t’i afrohemi. Kur lexojmë mesazhin që Perëndia na ka lënë në Bibël, miqësia jonë me Jehovain forcohet, edhe pse nuk e kemi parë kurrë.

2. Pse Jehovai është miku më i mirë që mund të kesh?

Jehovai të do më shumë se çdokush tjetër. Ai dëshiron që të jesh i lumtur dhe t’i drejtohesh atij sa herë ke nevojë për ndihmë. Po, ‘mund ta hedhësh gjithë ankthin tënd mbi të, sepse ai merakoset për ty’. (1 Pjetrit 5:7) Jehovai është gjithnjë gati t’i dëgjojë, t’i mbështetë dhe t’i ngushëllojë miqtë e tij.—Lexo Psalmin 94:18, 19.

3. Çfarë pret Jehovai nga miqtë e tij?

Jehovai i do të gjithë njerëzit, megjithatë vetëm «të ndershmit gëzojnë miqësi të ngushtë me të». (Proverbat 3:32) Jehovai pret që miqtë e tij të përpiqen të bëjnë atë që është e mirë dhe të shmangin atë që është e keqe sipas pikëpamjes së tij. Disa mendojnë se nuk i përmbushin dot kurrë standardet e Jehovait për të mirën dhe të keqen. Por, Jehovai është zemërgjerë. Ai i pranon të gjithë ata që e duan vërtet dhe që bëjnë çmos për ta kënaqur.—Psalmi 147:11; Veprat 10:34, 35.

SHQYRTO MË TEJ

Le të mësojmë si mund të bëhemi miq të Jehovait dhe pse ai është miku më i mirë që mund të kemi.

4. Abrahami ishte mik i Jehovait

Tregimi në Bibël për Abrahamin (i quajtur edhe Abram) na ndihmon të kuptojmë se ç’do të thotë të jesh mik i Perëndisë. Lexoni për Abrahamin te Zanafilla 12:1-4 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Çfarë i kërkoi Jehovai Abrahamit të bënte?

  • Çfarë i premtoi Jehovai atij?

  • Si veproi Abrahami?

5. Çfarë kërkon Jehovai nga miqtë e tij?

Zakonisht presim disa gjëra nga miqtë tanë.

  • Po ti, çfarë pret nga miqtë e tu?

Lexoni 1 Gjonit 5:3 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Çfarë kërkon Jehovai nga miqtë e tij?

Që t’i bindemi Jehovait, mund të na duhet të ndryshojmë sjelljen dhe personalitetin. Lexoni Isainë 48:17, 18 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Pse Jehovai u kërkon miqve të tij të bëjnë ndryshime?

Një mik i mirë na thotë se ç’duhet të bëjmë që të mbrohemi e të nxjerrim dobi. Po kështu, bën edhe Jehovai

6. Çfarë bën Jehovai për miqtë e tij?

Jehovai i ndihmon miqtë e tij të përballojnë problemet. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen e mëposhtme.

  • Si e ndihmoi Jehovai gruan në këtë video të luftonte me mendimet dhe ndjenjat negative?

Lexoni Isainë 41:10, 13 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Çfarë u premton Jehovai të gjithë miqve të tij?

  • A mendon se Jehovai mund të jetë një mik i mirë? Pse?

Miqtë e ngushtë të ndihmojnë kur ke nevojë. Edhe Jehovai do të të ndihmojë

7. Që të jemi miq me Jehovain, duhet të komunikojmë me të

Komunikimi e forcon miqësinë. Lexoni Psalmin 86:6, 11 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Si mund të flasim me Jehovain?

  • Po Jehovai, si flet me ne?

Ne i flasim Jehovait nëpërmjet lutjes; ai na flet nëpërmjet Biblës

DISA THONË: «Është e pamundur të jesh mik i Perëndisë.»

  • Cilin shkrim do të përdorje për t’u treguar se është e mundur të jemi miq të Jehovait?

PËRMBLEDHJE

Jehovai dëshiron të jetë miku yt dhe ai do të të ndihmojë t’i afrohesh.

Si do të përgjigjeshe?

  • Si i ndihmon Jehovai miqtë e tij?

  • Pse Jehovai u kërkon miqve të tij të bëjnë ndryshime?

  • A mendon se Jehovai kërkon tepër nga miqtë e tij? Pse?

Provo këtë

EKSPLORO

Çfarë ndikimi mund të ketë miqësia me Perëndinë në jetën tënde?

«Jehovai—Një Perëndi që ia vlen ta njohësh» (Kulla e Rojës, 15 shkurt 2003)

Zbulo pse një grua tha se miqësia me Jehovain i shpëtoi jetën.

«Nuk doja të vdisja!» (Kulla e Rojës nr. 1 2017)

Dëgjo disa adoleshentë teksa shprehin ndjenjat e tyre për Jehovain.

Çfarë do të thotë të jesh mik i Perëndisë? (1:46)