Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Spanja pushtohet nga kafshë të huaja

Në gazetën spanjolle El País thuhet: «Më shumë se dyzet lloje kafshësh nga vende të ndryshme të planetit e kanë pushtuar Spanjën me rrugë tokësore, detare dhe ajrore, duke bërë kërdinë në florën dhe faunën vendëse.» Në listën e pushtuesve, ku përfshihen edhe bimë, futen peshqit-mace gjigantë të ardhur nga Gjermania, algat e gjelbra të ardhura nga Karaibet, papagajtë murg nga Argjentina dhe një lloj shqarthi nga Amerika e Veriut. Shumë prej këtyre u sollën në Spanjë për t’u shitur si kafshë të veçanta që mbahen në shtëpi ose për ndonjë arsye tjetër tregtare. Disa më pas u ikën të zotërve, të tjera u lanë të lira kur u bënë barrë ose dolën që s’ishin me leverdi. «Përveç humbjes së habitatit, tani shkaku kryesor i pakësimit të llojeve vendëse janë llojet pushtuese»,​—thotë biologu Daniel Sol.

Vezët, burim kundërhelmi për kafshimin nga gjarpri

«Shkencëtarët indianë kanë zbuluar se nga vezët e pulës mund të merren molekula me të cilat trajtohen kafshimet nga gjarpri»,​—thotë The Times of India. Kur zogjtë janë rreth 12-javësh, u injektohet «brenda një muskuli një dozë jovdekjeprurëse helmi» dhe dy deri në tri javë më vonë një vaksinë shtesë. Pas 21 javësh, ata fillojnë të bëjnë vezë që përmbajnë antitrupa të kundërhelmit. Shkencëtarët shpresojnë që ky kundërhelm i nxjerrë nga vezët të zëvendësojë atë që deri tani merret nga kuajt, «të cilët u nënshtrohen analizave të dhembshme për të mbledhur kundërhelmin»,​—thotë The Times. Shkencëtarët në Australi tashmë kanë thënë se teknologjia e re ka dalë me sukses në provat e bëra te kafshët. Nëse ky kundërhelm del i efektshëm te njerëzit, mund të sjellë shumë dobi në Indi, ku çdo vit raportohen 300.000 raste kafshimesh nga gjarpri. Prej këtyre, 10 për qind e viktimave vdesin.

Fluturimi i fluturës

The Independent e Londrës thotë: «Për vite me radhë, shkencëtarët janë përpjekur të kuptojnë pse fluturat janë kaq eksperte të manovrojnë me shpejtësi të ulët, pse janë të afta të rrinë pa lëvizur në ajër dhe të fluturojnë së prapthi ose anash, pa shumë sforcim.» Tani kërkuesit në Universitetin e Oksfordit besojnë se e kanë gjetur më në fund sekretin e këtij insekti. Duke përdorur një tunel ere të projektuar posaçërisht dhe fjolla tymi për të treguar lëvizjen e ajrit, ata studiuan fluturat e llojit Vanessa atalanta gjatë fluturimit. Kur insektet fluturonin nga një lule artificiale te tjetra në këtë tunel, u vëzhguan nga kamera me shpejtësi të lartë, të cilat regjistruan lëvizjen e ajrit përreth krahëve të tyre. Kërkuesit zbuluan se «fluturimi i fluturave nuk është një endje kuturu dhe pa drejtim, por është rezultat i zotërimit të një sërë mekanizmave aerodinamikë». Shkencëtarët shpresojnë ta përdorin këtë njohuri për të ndërtuar mjete fluturuese që drejtohen me telekomandë, me hapje krahësh prej jo më shumë se dhjetë centimetrash. Të pajisur edhe me një kamerë, këto mjete fluturuese mund të përdoren për të filmuar nëpër hapësira të kufizuara.

Pagjumësia në Itali

Gjatë vitit 2002, më shumë se 600 mjekë dhe 11.000 pacientë morën pjesë në studimin më të gjerë që është bërë ndonjëherë për pagjumësinë në Itali. Gazeta La Stampa thotë se u zbulua që më shumë se 12 milionë italianë vuajnë nga pagjumësia. Nga njerëzit që u përfshinë në këtë studim, 65 për qind vuanin nga përgjumja e mëngjesit dhe 80 për qind përgjumeshin ndonjëherë gjatë ditës, kurse 46 për qind kishin vështirësi për t’u përqendruar në punë. «Ata që i japin makinës rrezikojnë shumë, po të kemi parasysh se 22 për qind e aksidenteve rrugore shkaktohen nga përgjumja»,​—thuhet në gazetë. Studimi tregoi edhe se 67 për qind e atyre që vuanin nga pagjumësia s’kishin folur asnjëherë me mjekun e tyre për këtë. Koordinatori i studimit, Mario Xhovani Tercano, tha se «të paktën 20 për qind e atyre që vuajnë kanë pagjumësinë parësore, për të cilën s’ka ndonjë shkak të dukshëm». Megjithatë, ekzaminimi mjekësor mund të zbulojë ndonjë problem fizik të lidhur me të. Sipas Tercanos, shkaqe të tjera të pagjumësisë janë ankthi (24 për qind), ngjarjet stresuese (23 për qind) dhe depresioni (6 për qind).

Një lloj antilope po përballet me zhdukjen

«Në vitin 1993, në stepat e Rusisë dhe të Kazakistanit lëviznin lirisht më shumë se një milion antilopa të llojit Saiga tatarica. Sot prej tyre kanë mbetur më pak se 30.000»,​—thuhet në New Scientist. Sipas artikullit, kjo kafshë ka rënë viktimë e «një epidemie të gjuetisë pa leje». «Biologët thonë se është rënia më e papritur dhe drastike e popullatës së një gjitari të madh.» Pse po gjuhen pa leje këto kafshë? Në fillim të viteve 1990, mbrojtësit e mjedisit, të shqetësuar për rinoqerontin që rrezikonte të zhdukej, propozuan që në vend të bririt të tij të përdorej në mjekësinë kineze briri i kësaj antilope. Duke qenë se kjo antilopë nuk gjendej më në Kinë, u vunë në shënjestër kopetë që ndodheshin në Azinë Qendrore. Vetëm për pesë vjet (1993-1998) numri i kafshëve pothuajse ishte përgjysmuar, dhe, në vitin 2002 kishte rënë 97 për qind. Në pjesën qendrore të Kazakistanit janë zhdukur 99 për qind e këtyre antilopave. Aty kanë mbetur vetëm 4.000 kafshë. Abigail Entuisël, zoologe nga Qendra Ndërkombëtare për Florën dhe Faunën, thotë: «Mendojmë se na kanë mbetur ndoshta vetëm dy vjet kohë për ta shpëtuar këtë lloj.»

Mendja, ndjenjat dhe shëndeti

Sipas një artikulli në revistën polake Wprost, ajo që ndodh në mendjen tonë mund të ketë mbi trupin shumë më tepër pasoja sesa besohej më parë. Aty shtohet: «Mendimet dhe ndjenjat ndikojnë në të gjitha organet dhe sistemet e rëndësishme të trupit njerëzor: në sistemin nervor, imunitar, hormonal, të qarkullimit të gjakut dhe të riprodhimit.» Prandaj, profesori Marek Kovalçik, që punon në Institutin Ushtarak të Higjienës dhe Epidemiologjisë në Varshavë, thotë se «njerëzit që jetojnë vazhdimisht nën stres sëmuren me rrufë e me grip dy herë më tepër se të tjerët». Kurse grave që janë me depresion, sipas tij, u përgjysmohen mundësitë që të mbeten shtatzëna. Gjithashtu, në revistën Wprost thuhet se ndonëse mund të mos jetë shkaktari i kancerit, stresi «mund ta përshpejtojë zhvillimin e një kanceri të fshehtë». Edhe zemërimi mund ta dëmtojë shëndetin, pasi mendohet se njerëzit me qëndrim agresiv e armiqësor sëmuren më shpesh nga sëmundjet koronare, të cilat i bëjnë më të prekshëm ndaj infarktit të zemrës.

Shitje e ligjshme e fildishit

Vetëm për dhjetë vjet, nga viti 1979 deri në vitin 1989, numri i elefantëve në Afrikë u zvogëlua më shumë se 50 për qind. Një arsye për këtë ishin kërkesat në rritje për produkte që bëheshin nga dhëmbët e tyre. Një arsye tjetër ishte që gjuetarët e paligjshëm përdornin gjithnjë e më shumë armë automatike. Për pasojë, në vitin 1989, Kongresi për Tregtinë Ndërkombëtare të Llojeve të Rrezikuara (CITES) vuri ndalimin e plotë mbi tregtinë e fildishit. Mirëpo, sipas revistës African Wildlife, kohët e fundit CITES-i pranoi që të lejonte Afrikën e Jugut, Botsvanën dhe Namibinë të bënin një herë të vetme tregti me një sasi të përgjithshme prej 60 tonësh fildish. Ky fildish u ishte konfiskuar gjuetarëve të paligjshëm ose ishte marrë nga kafshët që kishin ngordhur vetë. Dy vendeve të tjera iu mohua e drejta për të shitur fildishin e tyre, sepse «nuk kishin sjellë mjaft prova që të siguronin se mund të parandalonin trafikun ilegal të fildishit»,​—thuhej në artikull.