Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Ekzistojnë shumë prova shkencore në mbështetje të evolucionit, i cili duket se është një realitet që mund ta shohim dhe që pasuron njohjen tonë për jetën.»​—PAPA BENEDIKTI XVI.

«Zyrtarët kërkuan me ankth . . . të gjenin paratë për të inspektuar dhe riparuar rreth 74.000 ura ‘me probleme strukturore’ në SHBA, pasi një urë 40-vjeçare në Mineapolis [Minesota], në kulmin e trafikut, u shemb papritur dhe ra 20 metra poshtë në lumin Misisipi, duke vrarë [13 njerëz].»​—THE WEEK, SHBA.

Shumica e shkel ligjin

«Mendimi se ‘shumica i bindet ligjit’ s’është gjë tjetër veçse një mit që na vjen mirë ta besojmë,​—thotë gazeta londineze Times.​—Shumica e britanikëve e pranojnë se u binden vetëm atyre ligjeve që duan, dhe kur duan.» Kërkimet e bëra nga Qendra e Studimeve për Krimet dhe Drejtësinë në Kolegjin e Mbretit, në Londër, zbulojnë se shumica e shkelësve të ligjit vijnë nga shtresa «të respektuara» të shoqërisë. Një e treta e të intervistuarve paguajnë me lekë në dorë për të shmagur taksat, një e treta nuk thonë gjë kur shitësit u kthejnë para tepër dhe një e pesta e pranojnë se vjedhin në vendin e punës. Sipas studiuesve, kjo lloj sjelljeje është «tregues i gjendjes morale të shoqërisë​—një tregues ndoshta edhe më i qartë se dhuna dhe krimi i rrugës».

Armë bërthamore «në duart e Perëndisë»?

Kisha Ortodokse Ruse i ka dhënë bekimin punës së atyre burrave e grave që kanë përgjegjësinë të ruajnë e të mirëmbajnë arsenalin bërthamor të Rusisë. Në një mesazh të lexuar gjatë ceremonisë që u mbajt në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar, në Moskë, dhe të raportuar në gazetën Krasnaja Zvezda, patriarku ortodoks rus Alekseji II tha: «I lutem Perëndisë . . . që armët bërthamore që keni krijuar dhe që ju janë besuar juve, të mbeten gjithmonë në duart e Perëndisë dhe të përdoren vetëm si mjet frikësimi ose për t’u kundërpërgjigjur.»

Mjaltë në Izraelin e lashtë

«Kemi gjetur dëshmi arkeologjike që mbështetin përshkrimin biblik të Izraelit . . . si ‘një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë’ (ose të paktën si një vend me mjaltë)»,​—thotë Instituti i Arkeologjisë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit. Dëshmitë e gjetura në Tel-Rehov, në luginën e Beth-Sheanit në Izrael, përbëhen nga tri radhë me koshere cilindrike prej argjile të vendosura mbi njëra-tjetrën. Kolonia e bletëve që kanë jetuar atje daton «nga shekulli i 10-të deri në fillim të shekullit të 9-të p.e.s.» dhe «duhet të ketë pasur rreth 100 koshere»,​—thuhet në raport. Bletërritësit përllogaritin se atje mund të jetë prodhuar «gjysmë ton mjaltë» në vit.

Kafshët shtëpiake në vend të parë

Sipas një sondazhi në Internet, «një në katër australianë thonë se kafshët shtëpiake janë pjesëtari më i çmuar i familjes, madje më i rëndësishëm se partneri i tyre apo prindërit»,​—raporton në Internet gazeta The Sydney Morning Herald. Sipas sondazhit që bëri një kompani australiane për shërbimet financiare, një në tre veta që iu përgjigjën pyetjeve, harxhojnë «më shumë kohë e para për kafshët shtëpiake se për nevojat e tyre mjekësore». Trajtimi mjekësor për kafshët përfshin rezonancën magnetike, operacionet mini-invazive, transplantim kockash, kimioterapi, transplatim organesh, zëvendësim i kockave të legenit, madje edhe operacione në tru.