Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të mos dorëzohem?

Pse të mos dorëzohem?

Të rinjtë pyesin

Pse të mos dorëzohem?

Çdo vit, miliona të rinj përpiqen t’i japin fund jetës. Mijëra prej tyre ia arrijnë. Për shkak të përhapjes së vetëvrasjes ndër adoleshentët, botuesit e revistës «Zgjohuni!» mendojnë se është e rëndësishme ta trajtojnë këtë temë.

«MA MERR jetën, . . . sepse për mua më e mirë është vdekja se jeta.» Kush i tha këto fjalë? A ishte dikush që nuk besonte te Perëndia? Dikush që e kishte braktisur Perëndinë? Dikush që Perëndia e kishte braktisur? Jo, asnjëri prej këtyre. Ai që u shpreh kështu ishte Jonai *, një njeri i përkushtuar ndaj Perëndisë, por që ishte i turbulluar. (Jonai 4:3; Simon Filipaj) Bibla nuk thotë se Jonai kishte ndër mend t’i jepte fund jetës. Megjithatë, përgjërimi i tij i dëshpëruar zbulon një fakt të rëndësishëm: ndonjëherë, edhe një shërbëtor të Perëndisë mund ta mbytë dëshpërimi.​—Psalmi 34:19.

Disa të rinj dëshpërohen kaq shumë, sa nuk gjejnë ndonjë arsye përse duhet të jetojnë. Mund të ndihen si Laura * 16-vjeçare, e cila thotë: «Prej vitesh kam kaluar herë pas here periudha depresioni. Shpesh më shkon ndër mend të vras veten.» Çfarë mund të bësh nëse njeh dikë që ka thënë se do t’i japë fund jetës ose nëse edhe ti vetë e ke menduar një gjë të tillë? Së pari, le të shohim më mirë përse mund të vijë një mendim i tillë.

Çfarë qëndron pas dëshpërimit?

Pse dikush mund të mendojë t’i japë fund jetës? Mund të jenë disa faktorë. Së pari, jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» dhe shumë adoleshentë janë tejet të ndjeshëm ndaj presioneve të jetës. (2 Timoteut 3:1) Përveç kësaj, për shkak të papërsosmërisë njerëzore, disa mund të bluajnë mendime shumë negative për veten dhe për botën që i rrethon. (Romakëve 7:22-24) Disa herë kjo ndodh për shkak të keqtrajtimit. Në raste të tjera, arsyeja mund të jetë ndonjë problem shëndetësor. Vlen të përmendet se në një vend më tepër se 90 për qind e atyre që i dhanë fund jetës, vuanin nga ndonjë lloj sëmundjeje mendore. *

Natyrisht, askush nuk është i paprekshëm nga hallet. Faktikisht, Bibla thotë se «e gjithë krijesa​—vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku». (Romakëve 8:22) Këtu përfshihen edhe të rinjtë. Në fakt, të rinjtë mund të ndikohen shumë nga ngjarjet negative që përmenden më poshtë:

▪ Vdekja e një të afërmi a një shoku, ose ngordhja e një kafshe shtëpiake

▪ Mosmarrëveshjet familjare

▪ Dështimet në shkollë

▪ Prishja e një lidhjeje romantike

▪ Keqtrajtimet (ku përfshihen edhe abuzimet fizike ose seksuale)

Sigurisht, herët a vonë pothuajse të gjithë të rinjtë do të kalojnë një ose disa nga situatat e renditura më sipër. Pse disa arrijnë t’i përballojnë vështirësitë më mirë se të tjerët? Specialistët thonë se të rinjtë që priren të dorëzohen në këtë betejë, mendojnë se askush nuk mund t’i ndihmojë dhe nuk ka zgjidhje. Me fjalë të tjera, këta të rinj mendojnë se asgjë nuk mund ta përmirësojë gjendjen e tyre dhe nuk shohin asnjë shpresë në horizont. Dr. Kathlin Mekoi tha për revistën Zgjohuni!: «Shumë shpesh këta të rinj nuk është se duan vërtet të vdesin. Duan vetëm që të mos kenë më dhembje.»

Vërtet s’ka rrugëdalje?

Ndoshta njeh ndonjë që ‘do kaq shumë të mos ketë më dhembje’, saqë thotë se dëshiron t’i japë fund jetës. Çfarë mund të bësh në këtë rast?

Në qoftë se një miku yt është aq i dëshpëruar, saqë dëshiron të vdesë, nxite të kërkojë ndihmë. Më pas, fol me një të rritur të pjekur, do apo s’do miku yt. Mos u shqetëso se mund të prishësh miqësinë. Duke i treguar të rriturit për problemin, po jep prova se je një ‘shok i vërtetë që bëhet vëlla në ditë të vështira’. (Proverbat 17:17) Duke vepruar kështu mund t’i shpëtosh jetën mikut tënd.

Po nëse ti vetë ke menduar t’i japësh fund gjithçkaje? Dr. Mekoi thotë: «Kërko ndihmë. Fol me dikë se si ndihesh​—me një prind, të afërm, mik, mësues, përfaqësues të fesë​—me dikë që të ka për zemër, që do të të marrë seriozisht, do të të dëgjojë dhe do t’i nxitë njerëzit e tu të afërt të të dëgjojnë se çfarë ke nevojë të thuash.»

Duke folur për problemet e tua, nuk do të humbësh asgjë, por vetëm do të fitosh. Shqyrto një shembull biblik. Në një çast të jetës së tij, njeriu i drejtë Job tha: «Shpirtit tim i është neveritur jeta.» Por më pas ai shtoi: «Do ta shfrej brengën. Do të flas në vrerin e shpirtit tim.» (Jobi 10:1) Jobi ishte i dëshpëruar dhe donte të fliste për dhembjen e tij. Edhe ti mund të lehtësohesh duke iu hapur një miku të pjekur.

Të krishterët që janë të dëshpëruar kanë edhe një ndihmë tjetër​—pleqtë e kongregacionit. (Jakovi 5:14, 15) Sigurisht, duke folur për problemet e tua, ato nuk do të zhduken. Por kjo mund të të ndihmojë t’i shohësh gjërat me ekuilibër, dhe mbështetja e një miku të besueshëm mund të jetë pikërisht ajo që të duhet për të gjetur ndonjë zgjidhje praktike.

Gjërat ndryshojnë

Kur kalon një periudhë të keqe, kujto këtë: sado e pashpresë të duket një situatë, me kalimin e kohës gjërat do të ndryshojnë. Psalmisti David, i cili kishte kaluar shumë halle, tha në lutje: «U lodha duke psherëtirë, gjithë natën e njom shtratin tim dhe e laj me lot krevatin tim.» (Psalmi 6:6) Mirëpo, në një psalm tjetër ai shkroi: «Ti ma ke kthyer zinë në valle.»​—Psalmi 30:11.

Davidi e dinte nga përvoja se problemet e jetës shkojnë e vijnë. Vërtet, disa mund të duken të papërballueshme, të paktën për momentin. Por ki durim! Gjërat ndryshojnë, dhe shpesh për mirë. Në disa raste problemet mund të lehtësohen në mënyra që mund të mos i kishe parashikuar. Në raste të tjera mund të zbulosh një mënyrë për t’i përballuar, një mënyrë që nuk e kishe menduar. Pika për t’u theksuar është kjo: problemet dëshpëruese nuk do të mbeten njësoj përgjithnjë.​—2 Korintasve 4:17.

Vlera e lutjes

Forma më e rëndësishme e komunikimit që mund të kesh, është lutja. Mund të lutesh si Davidi: «Më heto fund e krye, o Perëndi, dhe njihe zemrën time. Më shqyrto dhe njih mendimet që më turbullojnë. Shih nëse ka tek unë ndonjë udhë që do të më sillte dhembje, dhe më drejto për në udhën e përjetësisë.»​—Psalmi 139:23, 24.

Lutja nuk është thjesht ndihmë psikologjike. Ajo është një komunikim i vërtetë me Atin tënd qiellor, i cili do që ‘t’i zbrazësh zemrën’. (Psalmi 62:8) Shqyrto këto të vërteta themelore për Perëndinë:

▪ Ai i njeh mirë rrethanat që të sjellin dëshpërim.​—Psalmi 103:14.

▪ Ai të njeh më mirë sesa e njeh ti veten tënde.​—1 Gjonit 3:20.

▪ «Ai interesohet për [ty].»​—1 Pjetrit 5:7.

▪ Në botën e tij të re, Perëndia do të «fshijë çdo lot nga sytë» e tu.​—Zbulesa 21:4.

Kur problemi ka lidhje me një sëmundje

Siç u tha më sipër, ndjenjat vetëvrasëse shpesh vijnë për shkak të ndonjë sëmundjeje. Nëse është kështu në rastin tënd, mos ki turp të kërkosh ndihmë. Jezui e pranoi se ata që janë të sëmurë, kanë nevojë për mjek. (Mateu 9:12) Lajmi i mirë është se shumë probleme shëndetësore mund të kurohen. Dhe kura mund të të ndihmojë të ndihesh shumë më mirë!

Bibla premton se, në botën e re të Perëndisë, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) Ndërkohë, bëj gjithçka mundesh për të përballuar vështirësitë e jetës. Hajdi nga Gjermania veproi tamam kështu. Ajo thotë: «Disa herë rëndohesha kaq shumë nga depresioni, saqë doja vetëm të vdisja. Por tani mund të bëj një jetë normale falë lutjeve të vazhdueshme dhe kurës që mora.» Po njësoj mund të jetë edhe me ty. *

Një artikull i ardhshëm në rubrikën «Të rinjtë pyesin» do të trajtojë se si të përballosh ndjenjat kur vëllai ose motra jote ka vrarë veten

[Shënimet]

^ par. 4 Po kështu u shpreh edhe Rebeka, Moisiu, Elija dhe Jobi.​—Zanafilla 25:22; 27:46; Numrat 11:15; 1 Mbretërve 19:4; Jobi 3:21; 14:13.

^ par. 5 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 7 Megjithatë, është e rëndësishme të themi se shumica e të rinjve që vuajnë nga një sëmundje mendore, nuk kryejnë vetëvrasje.

^ par. 33 Për më shumë informacione se si të përballosh ndjenjat e dëshpërimit, shih serinë e artikujve «Ndihmë për adoleshentët me depresion», në revistën Zgjohuni!, shtator 2001, dhe serinë e artikujve «Të kuptojmë çrregullimet e humorit», në revistën Zgjohuni!, 8 janar 2004.

PËR TË MENDUAR

▪ Thuhet se vetëvrasja nuk u jep fund problemeve, por vetëm sa ia kalon ato dikujt tjetër. A nuk është kështu?

▪ Me kë mund të flasësh kur të mbyt ankthi?

[Kutia dhe figura në faqen 29]

PËR PRINDËRIT

Në disa vende të botës, vetëvrasjet ndër të rinjtë janë shumë të përhapura. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, vetëvrasja është e treta ndër shkaqet e vdekjes së të rinjve të moshave 15-25 vjeç dhe gjatë dy dekadave të shkuara është dyfishuar përqindja e vetëvrasjeve te moshat 10-14 vjeç. Më të rrezikuar janë të rinjtë që vuajnë nga ndonjë çrregullim mendor, ata që u është vetëvrarë ndonjë pjesëtar i familjes dhe ata që kanë tentuar të vetëvriten më parë. Ndër shenjat paralajmëruese që tregojnë se një i ri mund të jetë duke menduar t’i japë fund jetës, janë këto:

▪ Veçimi nga familja dhe miqtë

▪ Ndryshimi në zakonet e të ngrënit dhe të fjetjes

▪ Humbja e interesit për gjëra që dikur atij i pëlqenin

▪ Ndryshimi i theksuar i personalitetit

▪ Abuzimi me drogën ose alkoolin

▪ U jep të tjerëve gjërat që për të janë me vlerë

▪ Flet për vdekjen ose përqendrohet në tema që lidhen me vdekjen

Dr. Kathlin Mekoi tha për Zgjohuni! se një nga gabimet më të mëdha që mund të bëjë një prind është të shpërfillë këto shenja paralajmëruese. Ajo thotë: «Askush nuk dëshiron të mendojë se te fëmija e vet ka diçka që s’shkon, prandaj disa prindër e hedhin poshtë këtë mendim. Ata thonë me vete: ‘Është vetëm një fazë e përkohshme’, ‘Do të kalojë’ ose ‘Ajo gjithmonë i ka dramatizuar paksa gjërat’. Por, të mendosh kështu është e rrezikshme. Të gjitha shenjat paralajmëruese duhen marrë seriozisht.»

Mos ki turp të kërkosh ndihmë për djalin ose vajzën tënde nëse vuan nga depresioni i rëndë apo nga ndonjë çrregullim tjetër mendor. Dhe në qoftë se dyshon se fëmija yt adoleshent po mendon t’i japë fund jetës, fol me të. Ideja se po t’i flasësh për vetëvrasjen mund t’ia shtiesh në mendje, është e gabuar. Shumë të rinj ndihen të lehtësuar kur e hapin prindërit këtë temë. Prandaj, nëse fëmija yt adoleshent rrëfen se ka menduar të vrasë veten, zbulo nëse ka bërë ndonjë plan konkret dhe në rast se po, sa i hollësishëm është. Sa më i hollësishëm të jetë plani, aq më urgjentisht duhet të ndërhysh. *

Mos pandehni se depresioni do të zhduket vetë. Dhe, nëse duket sikur po lehtësohet, mos mendoni se problemi është zgjidhur. Disa specialistë thonë se kjo është pika më e rrezikshme. Pse? Dr. Mekoi thotë: «Një adoleshent me depresion të rëndë mund të mos ketë mjaft forcë për të kryer vetëvrasje. Por kur depresioni lehtësohet, adoleshenti mund të ketë forcën e duhur për ta bërë.»

Është vërtet tragjike që si pasojë e dëshpërimit, disa të rinj mendojnë t’i japin fund jetës. Duke qenë të vëmendshëm ndaj këtyre shenjave dhe duke reaguar ndaj tyre, prindërit dhe persona të rritur që i kanë për zemër këta të rinj, mund ‘t’u flasin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’ dhe mund të jenë një vend strehimi për ta.​—1 Selanikasve 5:14.

[Shënimi]

^ par. 54 Specialistët paralajmërojnë se më shumë në rrezik janë ato familje që mbajnë ilaçe që në doza të mëdha mund të shkaktojnë vdekjen. Gjithashtu në rrezik janë edhe ato familje që kanë armë zjarri të mbushura e që fëmijët mund t’i marrin lehtë. Lidhur me rastin e fundit, Fondacioni Amerikan për Parandalimin e Vetëvrasjeve vëren: «Megjithëse shumica e atyre që zotërojnë armë thonë se i mbajnë në shtëpi për ‘mbrojtje’ ose ‘vetëmbrojtje’, 83 për qind e vrasjeve me armë në këto shtëpi janë vetëvrasje, shpesh nga dikush që nuk është pronari i armës.»

[Figura në faqen 28]

Forma më e rëndësishme e komunikimit është lutja