Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Brenda trupit pa bisturi

Brenda trupit pa bisturi

Brenda trupit pa bisturi

FALË përparimeve në fushën kompjuterike, në matematikë dhe në shkencë, bisturia po ua lë vendin mjeteve jokirurgjike për diagnostikimin e disa sëmundjeve. Përveç radiografisë, që tashmë ka më se 100 vjet që përdoret, ndër metodat e tjera janë: tomografia e kompjuterizuar (skaneri TK), tomografia me emetim pozitronesh (skaneri TEP), imazhi me rezonancë magnetike (IRM) dhe skaneri me ultratinguj ose ekografia. * Si funksionojnë këto metoda? Cilat janë rreziqet shëndetësore? Cilat janë dobitë?

Radiografi

Si funksionon? Rrezet X (rëntgen) kanë gjatësi vale më të shkurtër se drita e dukshme dhe mund të depërtojnë në indet e trupit. Kur një pjesë e trupit bombardohet me rreze X, indet me dendësi të madhe, siç janë kockat, i përthithin rrezet dhe shfaqen si zona të bardha në filmin e quajtur radiografi. Indet e buta dalin me nuanca të ngjyrës gri. Në përgjithësi, radiografitë përdoren për të diagnostikuar probleme ose sëmundje të dhëmbëve, kockave, gjirit dhe kraharorit. Për të dalluar indet e buta që janë afër njëri-tjetrit e që kanë pak a shumë të njëjtën dendësi, mjeku mund të injektojë një ngjyrues radioopak në gjakun e pacientit për të theksuar kontrastin. Sot, radiografitë shpesh bëhen me aparate dixhitale dhe shihen në kompjuter.

Rreziqet: Ekziston një mundësi e vogël që të dëmtohen qelizat dhe indet, por rreziku zakonisht është shumë i vogël, në krahasim me dobitë. * Gratë shtatzëna duhet ta vënë në dijeni mjekun para se të bëjnë një radiografi. Lëndët e kontrastit, si jodi, mund të shkaktojnë alergji. Pra, thuajini mjekut ose radiologut nëse ju bën alergji jodi ose frutat e detit që përmbajnë jod.

Dobitë: Radiografia është e shpejtë, në përgjithësi nuk është e dhembshme, pak a shumë kushton lirë dhe realizohet kollaj. Prandaj, është mjaft e vlefshme për raste të tilla, si mamografia dhe diagnostikimi urgjent. Pas radiografisë, në trup nuk mbetet rrezatim dhe zakonisht nuk ka efekte anësore. *

TK

Si funksionon? Skaneri TK përfshin një përdorim më të sofistikuar dhe më me shumicë të rrezeve X, bashkë me sensorë të posaçëm. Pacienti shtrihet në një tryezë që rrëshqet dhe futet në një tunel brenda aparaturës. Pamjet përftohen në sajë të bombardimit me tufa rrezesh të shumta dhe precize, si dhe detektorëve që rrotullohen 360 gradë rreth pacientit. Ky proces është si të presësh një bukë në feta shumë të holla dhe të fotografosh secilën fetë. Kompjuteri i bashkon sërish këto «feta» dhe jep një pamje të hollësishme tërthore të organeve të brendshme të trupit. Aparaturat e fundit bëjnë ekzaminim spiral dhe japin një pamje të plotë, duke e shpejtuar kështu procesin. Meqë skaneri TK jep shumë hollësi, shpesh ai përdoret për ekzaminimin e kraharorit, të barkut, të skeletit dhe për diagnostikimin e llojeve të ndryshme të kancerit dhe çrregullimeve të tjera.

Rreziqet: Skaneri TK në përgjithësi jep doza më të larta rrezatimi sesa radiografitë e zakonshme. Ky rrezatim më i madh bën që rreziku i kancerit të rritet vetëm pak. Por ky rrezik nuk është për t’u nënvlerësuar dhe duhet peshuar mirë krahas dobive. Disa pacientë janë alergjikë ndaj lëndëve të kontrastit, ku zakonisht përfshihet jodi, kurse disa pacientëve të tjerë mund t’u dëmtohen veshkat. Në rast se përdoret një lloj lëngu kontrasti, ndoshta nënave me fëmijë në gji do t’u duhet të presin 24 orë a më shumë para se të mëndin fëmijën.

Dobitë: Skaneri TK realizohet pa dhembje, nuk bëhen çarje në trup dhe jep të dhëna mjaft të hollësishme që me anë të kompjuterit mund të kthehen në pamje me tri përmasa. Skaneri është pak a shumë i shpejtë dhe realizohet thjesht e mund të shpëtojë jetë duke zbuluar dëmtimet e brendshme. Ai nuk dëmton ndonjë pjesë artificiale të fiksuar brenda trupit të pacientit.

TEP

Si funksionon? Kur bëhet skaneri TEP, merret një substancë radioaktive, e cila i shtohet një përbërjeje që gjendet në mënyrë natyrore në trup që zakonisht është glukoza. Më pas e gjithë kjo injektohet në trup. Pamja përftohet në sajë të pozitroneve, grimca me ngarkesë pozitive, që emetohen a çlirohen nga substanca radioaktive që futet në inde. Skaneri TEP funksionon sipas parimit që qelizat kanceroze përdorin më shumë glukozë sesa normalet, e kështu thithin më tepër substancë radioaktive. Si pasojë, indet e sëmura çlirojnë më shumë rrezatim, dhe kjo sjell ndryshime në ngjyrë ose në kontrastet e pamjes përfundimtare.

Skaneri TK dhe skaneri IRM zbulojnë formën dhe strukturën e organeve e të indeve, kurse skaneri TEP tregon si funksionojnë. Kështu i zbulon ndryshimet në faza më të hershme. Skaneri TEP mund të bëhet bashkë me skanerin TK, e në këtë mënyrë grafitë e të dy skanerëve mund të japin më shumë hollësi. Gjithsesi, përfundimi i skanerit TEP mund të jetë i rremë, nëse pacienti ka ngrënë brenda një kohe të caktuar përpara skanerit ose kur niveli i sheqerit në gjak, mbase për shkak të diabetit, nuk është brenda normës. Veç kësaj, meqë lënda radioaktive e humbet këtë veti brenda një kohe fare të shkurtër, skaneri duhet bërë sa më shpejt.

Rreziqet: Meqenëse përdoret fare pak lëndë radioaktive dhe radioaktiviteti është jetëshkurtër, pacienti merr pak rrezatim. Sidoqoftë, ekziston rreziku për fetusin. Prandaj gratë shtatzëna duhet t’ia thonë këtë mjekut dhe personelit që merret me skanerin. Grave që mund të lindin fëmijë mund t’u kërkohet të bëjnë një analizë gjaku a urine për ndonjë shtatzëni. Kur skaneri TEP kombinohet me skanerin TK, duhen marrë parasysh edhe rreziqet e skanerit TK.

Dobitë: Meqë skaneri TEP tregon jo vetëm formën e organeve dhe të indeve, por edhe si punojnë, ky skaner mund t’i zbulojë problemet para se ndryshimet në strukturën e indit të dallohen me TK ose IRM.

IRM

Si funksionon? IRM-ja përdor një fushë magnetike të fuqishme dhe radiovalë (jo rreze X), si edhe një kompjuter, për të dhënë pamje tepër të hollësishme «feta-feta» të pothuajse gjithë organeve të brendshme të trupit. Kjo u jep mundësi mjekëve t’i ekzaminojnë pjesët e trupit deri në hollësitë më të vogla dhe të diagnostikojnë sëmundje në një mënyrë që nuk mund të realizohet me metoda të tjera. Për shembull, IRM-ja është një nga mjetet e pakta me anë të së cilës mund të shihet tejpërtej kockës, pra është një mjet i shkëlqyer për të ekzaminuar trurin dhe indet e tjera të buta.

Pacienti duhet të rrijë pa lëvizur gjatë IRM-së. Disa njerëz përjetojnë klaustrofobinë, ngaqë skaneri bëhet kur pacienti rrëshqet në një tunel disi të vogël brenda aparaturës. Megjithatë, kohët e fundit janë bërë aparatura të hapura IRM për pacientë të ankthshëm ose mbipeshë. Natyrisht, në dhomën e ekzaminimit nuk lejohen objekte metalike, si: stilolapsa, orë, bizhuteri, karfica, zinxhirë metalikë dhe as karta krediti a ndonjë objekt tjetër i ndjeshëm ndaj fushës magnetike.

Rreziqet: Kur përdoret një lëng kontrasti, ekziston pak rreziku i alergjisë, por ky rrezik është më i vogël sesa në rastin e substancave me bazë jodi, që përdoren në përgjithësi te radiografitë dhe skaneri TK. Me sa dihet, IRM-ja nuk paraqit rreziqe të tjera për pacientin. Prapëseprapë, për shkak të ndikimit të fushës magnetike të fuqishme, për pacientët që kanë në trup pjesë artificiale të vëna me operacion a copëza metalike nga ndonjë plagosje, IRM-ja mund të jetë e pamundur. Pra, nëse ju këshillohet një IRM dhe keni ndonjë nga këto gjëra, thuajini mjekut dhe specialistit të grafisë.

Dobitë: IRM-ja nuk përdor rrezatim të dëmshëm dhe është e mirë sidomos për të diktuar anomali të indeve, veçanërisht ato që nuk duken për shkak të kockave.

Ekografi

Si funksionon? Kjo metodë quhet skaneri me ultratinguj, sonografi ose ekografi. Ajo në thelb është një lloj radari që përdor valë zanore mbi diapazonin e valëve që kap veshi i njeriut. Kur valët arrijnë në një kufi ku ka ndryshim në dendësinë e indit, siç mund të jetë sipërfaqja e një organi, krijohet jehonë. Kompjuteri analizon jehonën dhe jep veçoritë dy a tridimensionale të organit, siç janë: thellësia, përmasat, forma dhe dendësia. Valët me frekuencë të ulët bëjnë të mundur pamjen e pjesëve më të thella të trupit; frekuencat tepër të larta lejojnë studimin e organeve sipërfaqësore, siç janë sytë dhe shtresat e lëkurës, e kështu mund të ndihmojnë për diagnostikimin e kancerit të lëkurës.

Në shumicën e rasteve, ekzaminuesi përdor një pajisje që e mban në dorë, e cila quhet transduktor. Pasi vë në lëkurë një xhel të tejdukshëm, e rrëshqet transduktorin mbi zonën që po ekzaminohet dhe menjëherë në kompjuter shfaqet pamja. Kur është e nevojshme, një transduktor i vogël mund t’i bashkohet një sonde që futet në ndonjë zgavër të trupit për disa ekzaminime të brendshme.

Një metodë e quajtur ekografia Dopler është e ndjeshme ndaj lëvizjes dhe përdoret për të diktuar ndonjë rrjedhë gjaku. Kjo mund të ndihmojë në diagnostikimin e problemeve tek organet dhe të tumoreve që zakonisht kanë shumë enë gjaku.

Ekografia i ndihmon mjekët të diagnostikojnë një mori problemesh shëndetësore dhe të diktojnë shkaqet e simptomave, duke filluar që nga çrregullimet e valvulave të zemrës e deri te gjëndrat e gjirit, si edhe zhvillimin e një foshnje të palindur. Nga ana tjetër, meqë ultratingujt nuk depërtojnë në gaz, kjo metodë mund të mos jetë aq e efektshme kur përdoret për disa pjesë të barkut. Gjithashtu, pamja mund të mos jetë po aq cilësore sa te metodat e tjera, si për shembull te radiografia.

Rreziqet: Ndonëse ultratingujt në përgjithësi nuk përbëjnë rrezik kur përdoren siç duhet, ata janë një lloj energjie që mund të dëmtojë indet, përfshirë edhe ato të fetusit. Prandaj, ekografia në shtatzëni nuk duhet të konsiderohet krejt e parrezikshme.

Dobitë: Kjo metodë përdoret gjerësisht, nuk kërkon bisturi e nuk kushton shtrenjtë. Gjithashtu pamja shihet në çast.

Metoda të së ardhmes

Sot kërkimet janë përqendruar në përmirësimin e metodave të tanishme. Për shembull, studiuesit po krijojnë një skaner IRM që funksionon me fushë magnetike shumë më të dobët sesa ajo e aparaturave të tanishme. Kjo zvogëlon shumë koston. Një metodë e re që është në punim e sipër, quhet skanimi molekular. Ai është projektuar për t’i diktuar qysh në nivelin molekular ndryshimet në trup. Kjo metodë premton që sëmundja të diktohet e të trajtohet në faza mjaft të hershme.

Metodat e përmendura kanë pakësuar nevojën për shumë operacione ekzaminuese të dhembshme, të rrezikshme, madje të panevojshme. Veç kësaj, kur këto metoda çojnë në diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të sëmundjes, rezultati mund të jetë shumë më i mirë. Gjithsesi, aparaturat janë të shtrenjta, pasi disa kushtojnë mbi 1 milion dollarë.

Sigurisht, është më mirë të parandalohet sëmundja sesa të diktohet e të kurohet. Pra, përpiquni të ruani shëndetin me anë të një diete të mirë, fizkulturës së rregullt, pushimit të mjaftueshëm dhe optimizmit. Te Proverbat 17:22 thuhet: «Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç.»

[Shënimet]

^ par. 2 Tomografia është metodë që realizon një pamje me tri përmasa të organeve të brendshme të trupit. Fjala vjen nga tomo që do të thotë «pjesë e prerë a thelë» ose «shtresë» dhe grapho që do të thotë «shkruaj».

^ par. 5 Për të krahasuar dozat e rrezatimit, shih kutinë  «Sa rrezatim marrim?»

^ par. 6 Ky artikull është vetëm një vështrim i përgjithshëm rreth teknikave të ekzaminimit, rreziqeve e dobive. Për më tepër informacion ju lutemi të këshilloheni me botime të posaçme ose me një radiolog.

[Kutia në faqen 13]

 SA RREZATIM MARRIM?

Çdo ditë marrim doza të vogla rrezatimi nga ambienti përreth. Ky vjen nga rrezet kozmike ose nga substancat radioaktive që ndodhen në natyrë, siç është gazi i radonit. Krahasimi i mëposhtëm mund t’ju ndihmojë të peshoni rreziqet e disa ekzaminimeve mjekësore. Janë dhënë mesataret në milisievert (mSv).

Një fluturim pesëorësh me avion pasagjerësh: 0,03 mSv

Dhjetë ditë rrezatim natyror: 0,1 mSv

Radiografi dhëmbi: 0,04-0,15 mSv

Radiografi e zakonshme e kraharorit: 0,1 mSv

Mamografi: 0,7 mSv

Skaneri TK i kraharorit: 8,0 mSv

Nëse ju thuhet të bëni ndonjë ekzaminim, mos ngurroni t’i kërkoni mjekut a radiologut informacione për dozat e rrezatimit ose për ndonjë gjë tjetër që ju shqetëson.

[Figura në faqen 11]

Radiografi me rreze X

[Figura në faqen 12]

Tomografi e kompjuterizuar

[Burimi]

© Philips

[Figura në faqen 12]

Tomografi me emetim pozitronesh

[Burimi]

Me mirësjellje nga Alzheimer’s Disease Education and Referral Center, shërbim i National Institute on Aging

[Figura në faqen 13]

Imazhi me rezonancë magnetike

[Figura në faqen 14]

Skaneri me ultratinguj