Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjashtë hapa drejt suksesit si njeri

Gjashtë hapa drejt suksesit si njeri

Gjashtë hapa drejt suksesit si njeri

SUKSESI i vërtetë është ta jetosh jetën në mënyrën më të mirë. Kjo arrihet kur zbaton normat e Perëndisë dhe jeton në përputhje me qëllimin e tij për ne. Bibla thotë se, kush bën një jetë të tillë, «do të bëhet si një pemë e mbjellë pranë vijave të ujit, që jep fryt në stinën e vet, që nuk i thahen gjethet dhe i shkon mbarë çdo gjë që bën».​—Psalmi 1:3.

Po, ndonëse jemi të papërsosur dhe bëjmë gabime, jeta jonë në tërësi mund të jetë mjaft e suksesshme. A të tërheq kjo perspektivë? Nëse po, gjashtë parimet e mëposhtme biblike mund të të ndihmojnë të arrish këtë synim, duke dhënë kështu prova të qarta se mësimet e Biblës janë vërtet mençuri që vjen nga Perëndia.​—Jakovi 3:17.

1 Mbaj pikëpamjen e duhur për paratë

«Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa . . . janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» (1 Timoteut 6:10) Vër re se problemi nuk janë paratë në vetvete​—pasi ato na duhen të gjithëve që të kujdesemi për veten dhe familjen​—por dashuria për para. Kjo dashuri e bën paranë zotëri ose perëndi të njeriut.

Siç e pamë në artikullin hapës të kësaj serie, njerëzit që rendin me zjarr pas pasurisë, duke e parë atë si çelësin e suksesit, në të vërtetë po vrapojnë pas një iluzioni. Përveçse përfundojnë të zhgënjyer, ata i shkaktojnë vetes shumë dhembje. Për shembull, teksa rendin të etur drejt pasurisë, shpesh njerëzit sakrifikojnë marrëdhënien me familjen dhe miqtë. Të tjerë nuk flenë sa duhet për shkak të punës ose për shkak të ankthit a shqetësimeve. Tek Eklisiastiu 5:12 thuhet: «I ëmbël është gjumi i punonjësit, qoftë edhe kur ha pak ose shumë; por velitja e të pasurit nuk e lë atë të flerë.»​—Diodati i Ri.

Paraja nuk është vetëm një zotëri mizor, por edhe mashtrues. Jezu Krishti foli për ‘fuqinë mashtruese të pasurisë’. (Marku 4:19) Me fjalë të tjera, pasuria premton lumturi, por nuk e mban premtimin. Ajo vetëm sa ndez dëshirën për të pasur më shumë. Tek Eklisiastiu 5:10 thuhet: «Kush është i dhënë pas parasë, nuk ngopet kurrë me para.»​—Diodati i Ri.

E thënë shkurt, dashuria për para është vetëmashtruese dhe në fund të çon në zhgënjim, dëshpërim, madje edhe në krime. (Proverbat 28:20) Lumturia dhe suksesi varen më tepër nga bujaria, gatishmëria për të falur, dëlirësia morale, dashuria dhe nga një marrëdhënie e mirë me Perëndinë.

2 Mëso të jesh bujar

«Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!» (Veprat 20:35) Kur japim herë pas here, përjetojmë çaste lumturie, por nëse e kemi zakon bujarinë, kjo bën të jemi vazhdimisht të lumtur. Sigurisht, bujaria shprehet në shumë mënyra. Një nga mënyrat më të mira, dhe shpesh më të vlerësuara, është të japësh nga vetja.

Pasi rishikoi disa studime rreth altruizmit, lumturisë dhe shëndetit, studiuesi Stiven G. Post nxori si përfundim se, kur mendon për të tjerët dhe u jep ndihmë, jeton më gjatë, ndihesh më mirë, ke shëndet më të mirë fizik e mendor dhe të lehtësohet depresioni.

Veç kësaj, atyre që japin me bujari sipas mundësive, nuk u mungojnë gjërat e nevojshme të jetës. Te Proverbat 11:25 thuhet: «Shpirti bujar do të majmet, dhe kush ujit me bollëk, edhe ai vetë do të ujitet me bollëk.» Në përputhje me këto fjalë, ata që janë vërtet bujarë nga zemra, që japin pa interes, kanë vlerësimin dhe dashurinë e të tjerëve, sidomos të Perëndisë.​—Hebrenjve 13:16.

3 Fal bujarisht

«Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.» (Kolosianëve 3:13) Shpesh njerëzit nuk janë të gatshëm të falin. Ata preferojnë më tepër të hakmerren, sesa të tregojnë mëshirë. Rezultati? Fyerja sjell fyerje dhe dhuna sjell dhunë.

Por dëmi nuk mbaron me kaq. Në një artikull në The Gazette të Monrealit në Kanada, thuhet se «gjatë një studimi me më shumë se 4.600 persona të moshës 18-30-vjeçare», studiuesit «panë se sa më armiqësor, i acaruar dhe i lig të ishte personaliteti», aq më shumë probleme kishte njeriu me mushkëritë. Disa nga pasojat e dëmshme ishin edhe më të mëdha se pasojat te duhanpirësit. Po, gatishmëria për të falur nuk është thjesht një lubrifikues i mirë për marrëdhëniet shoqërore, por edhe një ilaç i mirë.

Si të falësh më shumë? Fillo duke e shqyrtuar me ndershmëri veten. A nuk i mërzit edhe ti të tjerët herë pas here? A nuk ua di për nder kur të falin? Atëherë, përse të mos falësh me bujari të tjerët? (Mateu 18:21-35) Në këtë aspekt është e rëndësishme edhe të kultivosh vetëkontroll. Numëro gjer në dhjetë ose gjej ndonjë mënyrë tjetër për t’i dhënë kohë vetes të qetësohesh. Gjithashtu, shihe vetëkontrollin si një pikë të fortë. Proverbat 16:32 thotë: «Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm.» A nuk nënkupton shprehja «më mirë se një burrë i fuqishëm» se je i suksesshëm?

4 Jeto sipas normave të Perëndisë

«Urdhërimet e Jehovait janë të pastra dhe i bëjnë sytë të ndrijnë.» (Psalmi 19:8) Me fjalë të thjeshta, normat e Perëndisë na bëjnë mirë fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht. Ndër të tjera ato na mbrojnë nga gjëra të dëmshme, siç janë: abuzimi me drogën, dehja, sjelljet e gabuara seksuale dhe shikimi i pornografisë. (2 Korintasve 7:1; Kolosianëve 3:5) Pasojat e dëmshme që mund të vijnë prej këtyre janë: krimi, varfëria, mungesa e besimit, prishja e familjes, problemet mendore dhe emocionale, sëmundjet, madje edhe vdekja e parakohshme.

Nga ana tjetër, ata që jetojnë sipas normave të Perëndisë krijojnë me të tjerët marrëdhënie ndërtuese e të forta, si dhe respekt për veten e paqe të brendshme. Tek Isaia 48:17, 18 Perëndia thotë se është «Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh». Pastaj shton: «Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» Po, Krijuesi ynë dëshiron më të mirën për ne. Ai dëshiron që ne ‘të ecim nëpër udhën’ e suksesit të vërtetë.

5 Trego dashuri altruiste

«Dashuria ndërton.» (1 Korintasve 8:1) A e përfytyron dot një jetë pa dashuri? Sa jetë e zbrazët dhe e palumtur do të ishte! Apostulli i krishterë Pavël shkroi i frymëzuar nga Perëndia: «Sikur . . . të mos kem dashuri [për të tjerët], nuk do të jem asgjë. . . . Nuk do të më sjellë asnjë dobi.»​—1 Korintasve 13:2, 3.

Dashuria për të cilën flitet këtu nuk është e një natyre seksuale, që pa dyshim ka vendin e saj. Ajo është një dashuri më e thellë dhe më e qëndrueshme, e cila drejtohet nga parimet hyjnore. * (Mateu 22:37-39) Për më tepër, ajo nuk është pasive, në kuptimin që vetëm merr, por aktive, që tregohet ndaj të tjerëve. Pavli tha më tej se kjo dashuri është e durueshme dhe mirëdashëse. Nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh e nuk krekoset. Ajo kërkon mirëqenien e të tjerëve dhe nuk fyhet kollaj, por fal. Një dashuri e tillë ndërton. Gjithashtu, na ndihmon të kemi sukses në marrëdhëniet me të tjerët, sidomos me pjesëtarët e familjes.​—1 Korintasve 13:4-8.

Për prindërit dashuri do të thotë t’u tregojnë përzemërsi të ngrohtë fëmijëve dhe t’u vënë kufizime të qarta e të bazuara në Bibël lidhur me moralin e sjelljen. Fëmijët që rriten në një ambient të tillë, kanë një ndjenjë sigurie e stabiliteti familjar dhe ndiejnë se i duan vërtet e i vlerësojnë.​—Efesianëve 5:33–6:4; Kolosianëve 3:20.

Xheku, një djalë në Shtetet e Bashkuara, u rrit në një familje që zbatonte parimet biblike. Kur u largua nga shtëpia, Xheku u shkroi prindërve. Ndër të tjera thoshte: «Jam përpjekur gjithnjë të ndjek urdhrin [e Biblës]: ‘Ndero atin dhe nënën tënde . . . dhe të të vejë mbarë.’ (Ligji i përtërirë 5:16) Jeta më ka shkuar mbarë, dhe tani më shumë se kurrë e kuptoj se kjo ka qenë rezultat i përpjekjeve tuaja të zellshme e të dashura si prindër. Faleminderit për gjithë punën e palodhur që keni bërë për të më rritur dhe për mbështetjen që më keni dhënë.» Nëse je prind, si do të ndiheshe po të merrje një letër si kjo? A nuk do të të gufonte zemra nga gëzimi?

Gjithashtu, dashuria e bazuar në parime «gëzon me të vërtetën» që gjendet në faqet e Biblës. (1 Korintasve 13:6; Gjoni 17:17) Le ta ilustrojmë: një çift me probleme në martesë vendosin të lexojnë së bashku fjalët e Jezuit te Marku 10:9: «Atë që Perëndia e ka bashkuar [në martesë], asnjeri të mos e ndajë.» Pas kësaj u duhet të shqyrtojnë zemrën e tyre. A ‘gëzojnë me të vërtetën’ e Biblës? A do ta shohin martesën e tyre si të shenjtë, siç e sheh Perëndia, dhe a do të veprojnë në përputhje me këtë? A janë të gatshëm të përpiqen t’i zgjidhin problemet me një frymë dashurie? Nëse po, martesa e tyre do të jetë e suksesshme dhe do të gëzojnë frytet e kësaj.

6 Ji i vetëdijshëm se ke nevojë të mësosh për Perëndinë

«Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mateu 5:3) Ndryshe nga kafshët, njerëzit i kuptojnë dhe i vlerësojnë gjërat shpirtërore. Prandaj ne bëjmë pyetje, si: cili është qëllimi i jetës? A ka një Krijues? Çfarë ndodh kur vdesim? Ç’do të sjellë e ardhmja?

Anekënd botës ka me miliona njerëz të sinqertë kanë zbuluar se Bibla u përgjigjet këtyre pyetjeve. Për shembull, pyetja e fundit lidhet me qëllimin e Perëndisë për njerëzimin. Ç’qëllim ka ai për ne? Perëndia ka ndër mend që toka të bëhet parajsë, ku të jetojnë përgjithmonë njerëz që e duan atë dhe normat e tij. Psalmi 37:29 thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»

Është e qartë se Krijuesi ynë nuk dëshiron që ne të kemi sukses vetëm për 70 a 80 vjet. Dëshiron që ne të jemi të suksesshëm përgjithmonë. Pra, tani është koha të mësosh për Krijuesin tënd. Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Teksa fiton këtë njohuri dhe e zbaton në jetën tënde, do të provosh vetë se «bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje».​—Proverbat 10:22.

[Shënimi]

^ par. 22 Pothuajse në të gjitha rastet që del në Shkrimet e Krishtere Greke ose në Dhiatën e Re, dashuria është përkthim i fjalës greke agape. Agape është një dashuri që bazohet në një zgjedhje të vetëdijshme të individit, i cili e konsideron atë si një parim, si një detyrë dhe si një mënyrë të duhur sjelljeje. Sidoqoftë, agape nuk është pa ndjenja, por mund të jetë e përzemërt dhe e zjarrtë.​—1 Pjetrit 1:22.

[Kutia në faqen 7]

PARIME TË TJERA QË ÇOJNË DREJT SUKSESIT

Ki frikë të shëndetshme ndaj Perëndisë. «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë.»​—Proverbat 9:10.

Zgjidhe shoqërinë me mençuri. «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»​—Proverbat 13:20.

Shmang teprimet. «Pijaneci dhe grykësi do të bien në varfëri.»​—Proverbat 23:21.

Mos u orvat të hakmerresh. «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.»​—Romakëve 12:17.

Puno pa u lodhur. «Nëse ndokush nuk do që të punojë, as të mos hajë!»​—2 Selanikasve 3:10.

Zbato Rregullën e Artë. «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»​—Mateu 7:12.

Kontrollo gjuhën. «Ai që e do jetën dhe dëshiron të shohë ditë të bardha, t’i vërë fre gjuhës për të mos folur keq.»​—1 Pjetrit 3:10.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

DASHURIA ËSHTË ILAÇ I MIRË

Din Ornishi, shkrimtar dhe doktor në fushën e mjekësisë, shkruan: «Dashuria dhe miqësia e ngushtë janë në rrënjë të asaj që na bën të ndihemi keq ose mirë, që na shkakton trishtim ose na sjell lumturi, që na bën të vuajmë ose që na ndihmon të shërohemi. Në rast se një ilaç i ri do të kishte të njëjtin efekt, pothuajse çdo mjek do ta rekomandonte për pacientët e tij. Dhe të mos e këshilloje atë ilaç do të ishte kequshtrim i profesionit.»

[Kutia dhe figurat në faqen 9]

NGA MJERIMI NË SUKSES

Kur në atdheun e tij nisi lufta, Milankoja, që jeton në Ballkan, u fut në radhët e ushtrisë. Prej bëmave të tij të guximshme e quajtën Rambo, sipas një heroi të dhunshëm filmash. Mirëpo, me kalimin e kohës, Milankoja mbeti i zhgënjyer nga korrupsioni dhe hipokrizia që pa në ushtri. Ai shkruan: «Kjo më çoi në shumë vese: alkooli, cigarja, droga, bixhozi dhe shthurja. Jeta ime ishte beter dhe nuk shihja asnjë rrugëdalje.»

Në atë periudhë kritike të jetës së tij, ai nisi të lexonte Biblën. Më vonë, kur ishte për vizitë te një i afërm, pa revistën Kulla e Rojës, që botohet nga Dëshmitarët e Jehovait. Ajo çka lexoi i pëlqeu. S’kaloi shumë dhe filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Falë së vërtetës biblike, gjeti rrugën drejt lumturisë dhe suksesit të vërtetë. «E vërteta m’i përtëriu forcat,​—thotë ai.​—Hoqa dorë nga të gjitha veset, u bëra tjetër njeri dhe u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait. Ngaqë tani jam njeri i butë, ata që më njohin prej kohësh, nuk më thërrasin më Rambo, por me nofkën që kisha në vogëli, Lepurush.»