Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i ndihmojmë ata që vuajnë nga një sëmundje mendore

Si t’i ndihmojmë ata që vuajnë nga një sëmundje mendore

BIBLA THOTË: «Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—PROVERBAT 17:17.

Ç’do të thotë ky shkrim

Kur një mik vuan nga një sëmundje mendore, mund të ndihemi të papërgatitur. Por mund t’i tregojmë sa shumë e duam duke e ndihmuar ta përballojë këtë vështirësi.

Si na ndihmon

«[Ji] i shpejtë për të dëgjuar.»—JAKOVI 1:19.

Një nga mënyrat më të mira është duke e dëgjuar kur ai dëshiron të flasë. Mos mendo se duhet t’i japësh përgjigje për çdo gjë që thotë. Siguroje që po e dëgjon, dhe përpiqu të jesh gjithnjë i dhembshur. Tregohu mendjehapur, mos nxirr shpejt përfundime dhe mos e gjyko. Mos harro se mund të thotë gjëra që nuk i ka me tërë mend dhe për të cilat më vonë pendohet.—Jobi 6:2, 3.

«[Fol] në mënyrë ngushëlluese.»—1 SELANIKASVE 5:14.

Miku yt mund të jetë në ankth ose mund të jetë duke luftuar me ndjenjat e pavlefshmërisë. Duke e siguruar se e do, je ngushëllim dhe inkurajim për të, edhe kur nuk di çfarë të thuash.

«Miku i vërtetë të do në çdo kohë.»—PROVERBAT 17:17.

Ofro ndihmë praktike. Në vend që të supozosh se e di si ta ndihmosh, më mirë pyete. Nëse miku e ka të vështirë të të shpjegojë për çfarë ka nevojë, provo të sugjerosh diçka praktike që mund të bëni bashkë, si për shembull, të dilni për një shëtitje. Ose mund t’i ofrosh ndihmë për pazarin, pastrimin a për ndonjë punë tjetër.—Galatasve 6:2.

«[Ji i] duruar.»—1 SELANIKASVE 5:14.

Miku yt jo gjithmonë mund të jetë i gatshëm për të folur. Siguroje se do ta dëgjosh me kënaqësi atëherë kur të ndihet për t’u shprehur. Për shkak të sëmundjes, mund të thotë ose të bëjë gjëra që të lëndojnë. Mund të anulojë plane që kishit bërë bashkë ose të acarohet papritur. Ji i duruar dhe mirëkuptues teksa e ndihmon.—Proverbat 18:24.

Ndihma jote mund të bëjë diferencën

«Bëj çmos ta siguroj se jam një krah ku mund të mbështetet. Edhe pse nuk kam një zgjidhje për problemet e saj, jam e vendosur ta dëgjoj gjithmonë, sepse ndonjëherë gjithçka që i duhet është një vesh që e dëgjon.»—Farrah, a shoqja e së cilës vuan nga çrregullimi në të ngrënë, i ankthit dhe nga depresioni klinik.

«Një nga shoqet e mia është kaq e mirë dhe pozitive. Një herë më ftoi në shtëpinë e saj për të ngrënë diçka të shijshme. Në atë atmosferë të ngrohtë e të dashur, u ndjeva për të folur. Kjo më inkurajoi shumë.»—He Un, e cila vuan nga depresioni klinik.

«Durimi është shumë i rëndësishëm. Kur gruaja bën diçka që më mërzit, i kujtoj vetes se nuk është ajo, por sëmundja. Kjo më ndihmon të mos acarohem dhe të jem më mirëkuptues.»—Xhejkobi, gruaja e të cilit vuan nga depresioni klinik.

«Gruaja është një mbështetje dhe ngushëllim i jashtëzakonshëm për mua. Kur më mbyt ankthi, kurrë nuk më detyron të bëj gjëra që nuk ndihem t’i bëj. Ndonjëherë kjo nënkupton që ajo të heqë dorë nga gjëra që i pëlqejnë shumë. Fryma vetëmohuese dhe bujaria e saj janë të paçmueshme.»—Enriko, i cili vuan nga çrregullimi i ankthit.

a Disa emra janë ndryshuar.