Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë ndodh në të vërtetë kur njeriu vdes?

Çfarë ndodh në të vërtetë kur njeriu vdes?

Çfarë ndodh në të vërtetë kur njeriu vdes?

«Të gjithë shpirtrat janë të pavdekshëm, madje edhe shpirtrat e të ligjve . . . Ata dënohen me hakmarrjen e pafund në zjarrin e pashueshëm e nuk vdesin, dhe është e pamundur që vuajtjeve të tyre t’u jepet [fund].»​—Klementi i Aleksandrisë, shkrimtar i shekullit të dytë e të tretë të e.s.

ASHTU si Klementi, ata që mbështetin doktrinën se ferri është një vend mundimi, besojnë se njeriu ka një shpirt të pavdekshëm. A e mbështet Bibla këtë doktrinë? Shiko se si u përgjigjet Fjala e Perëndisë pyetjeve të mëposhtme.

A kishte njeriu i parë, Adami, një shpirt të pavdekshëm? Përkthimi i njohur si Diodati i Ri (Dio), thotë për krijimin e Adamit: «Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt i gjallë.» (1 Korintasve 15:45) Vër re që ky shkrim nuk thotë se Adamit iu dha një shpirt.

Po çfarë ndodhi me Adamin pasi mëkatoi? Ndëshkimi që dha Perëndia, nuk ishte mundimi i përjetshëm në ferr. Në të vërtetë, versioni katolik Simon Filipaj i përkthen kështu fjalët e Perëndisë: «Me djersë të ballit tënd do ta hash bukën derisa të mos kthehesh në dhe prej të cilit qe nxjerrë, sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh!» (Kursivi është yni; Zanafilla 3:19) Fjalët e Perëndisë nuk nënkuptojnë që ndonjë pjesë e Adamit mbijetoi pas vdekjes. Kur Adami vdiq, shpirti, pra, Adami, vdiq.

A ka ndonjë njeri shpirt të pavdekshëm? Perëndia i tha profetit Ezekiel: «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.» (Ezekieli 18:4, Dio) Apostulli Pavël shkroi: «Ashtu si me anë të një njeriu të vetëm [Adamit] mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.» (Romakëve 5:12, Dio) Nëse të gjithë njerëzit mëkatojnë, atëherë përfundimi logjik është se të gjithë shpirtrat vdesin.

A kupton ose ndien ndonjë gjë një shpirt i vdekur? Fjala e Perëndisë thotë: «Të gjallët e dinë se do të vdesin, kurse të vdekurit s’dinë më asgjë.» (Eklisiastiu 9:5, Simon Filipaj) Duke përshkruar se çfarë ndodh me një njeri kur vdes, Bibla thotë se ai kthehet në dheun e vet dhe «atë ditë mendimet’ e ti humbasënë» ose marrin fund. (Psalmi 146:4, Kristoforidhi) Nëse të vdekurit «s’dinë më asgjë» dhe ‘mendimet e tyre humbasin’, atëherë si mund të ndiejnë mundimet e ferrit?

Jezu Krishti e krahasoi vdekjen jo me ndonjë gjendje të vetëdijshme, por me gjumin. * (Gjoni 11:11-14) Megjithatë, disa mund të kundërshtojnë duke thënë se Jezui mësoi vërtet që ferri ishte i nxehtë dhe se mëkatarët do të hidheshin në ferr. Le të shqyrtojmë çfarë tha në të vërtetë Jezui për ferrin.

[Shënimi]