Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A besojnë Dëshmitarët e Jehovait se vetëm ata do të shpëtojnë?

A besojnë Dëshmitarët e Jehovait se vetëm ata do të shpëtojnë?

Lexuesit pyesin

A besojnë Dëshmitarët e Jehovait se vetëm ata do të shpëtojnë?

Dëshmitarët e Jehovait mendojnë se kanë gjetur fenë e vërtetë. Po të mos mendonin kështu, do t’i ndryshonin bindjet e tyre. Ashtu si besimtarët e shumë feve të tjera, edhe Dëshmitarët e Jehovait shpresojnë të shpëtojnë. Sidoqoftë, ata mendojnë edhe se nuk u takon atyre të gjykojnë kush do të shpëtojë. Në fund të fundit, Gjykatësi është Perëndia. Ai vendos.​—Isaia 33:22.

Fjala e Perëndisë tregon se ata që do të shpëtojnë, nuk mjafton ta dëshirojnë shpëtimin, por edhe duhet të bashkëpunojnë me Shpëtimtarin. Le ta ilustrojmë: ta zëmë se një ekskursionist humbet nëpër pyll. Ai dëshiron jashtë mase të gjejë një rrugëdalje. A do të vdesë apo do të mbijetojë? Kjo varet si do të reagojë ai kur t’i japin ndihmë. Ose mund ta refuzojë nga krenaria ndihmën e dikujt që vjen ta shpëtojë, ose mund ta pranojë me përulësi ndihmën e të shpëtojë.

Po njësoj, shpëtimin do ta marrin ata që bashkëpunojnë me Shpëtimtarin e njerëzimit, Perëndinë Jehova. Shpëtimi është dhuratë nga Perëndia, por jo të gjithë njerëzit do ta fitojnë. Biri i Perëndisë, Jezui, tha: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.»​—Mateu 7:21.

Dëshmitarët e Jehovait besojnë se Perëndia shpëton vetëm ata që tregojnë besim te flijimi shpërblyes i Jezuit dhe i ndjekin me kujdes mësimet e tij. (Veprat 4:10-12) Shqyrtoni tri kërkesa të rëndësishme nga Fjala e Perëndisë që duhen përmbushur për të shpëtuar.

(1) «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin»,​—u tha Jezui shokëve të tij. (Gjoni 13:35) Vetë shembulli i Jezuit, i cili dha jetën për të tjerët, thekson sa e rëndësishme është dashuria. Ata që i duan të tjerët po shfaqin një cilësi të domosdoshme për shpëtimin.

(2) «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd»,​—i tha Jezui në lutje Atit. (Gjoni 17:26) Jezui e dinte sa i rëndësishëm ishte për Atin emri i vet, Jehova. Jezui u lut që ‘të shenjtërohej’ emri i Atit. (Mateu 6:9) Shenjtërimi i emrit të Perëndisë përfshin ta dish atë emër e ta përdorësh në një mënyrë që tregon se e konsideron të rëndësishëm e të shenjtë. Ashtu si Jezui, edhe ata që kërkojnë shpëtimin duhet ta përdorin emrin e Perëndisë. Gjithashtu duhet t’u mësojnë të tjerëve emrin dhe cilësitë e Perëndisë. (Mateu 28:19, 20) Në të vërtetë, vetëm ata që thërrasin emrin e Perëndisë do të shpëtojnë.​—Romakëve 10:13.

(3) «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote»,​—i tha Jezui Ponc Pilatit. (Gjoni 18:36) Pak veta sot tregojnë besim te Mbretëria e Perëndisë ose te qeveria që ka si Mbret Jezuin. Përkundrazi, ata i mbajnë shpresat tek organizatat njerëzore. Nga ana tjetër, ata që do të shpëtojnë, e mbështetin me besnikëri Mbretërinë e Perëndisë dhe u mësojnë të tjerëve si do t’i çlirojë ajo të gjithë njerëzit besnikë.​—Mateu 4:17.

Pasi mësuan cilat ishin disa nga kërkesat për shpëtimin, dishepujt e Jezuit pyetën: «Kush mund të shpëtojë vallë?» Jezui u përgjigj: «Ato që janë të pamundura për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë.» (Luka 18:18-30) Dëshmitarët e Jehovait përpiqen me zell t’i plotësojnë këto kërkesa për shpëtimin. Gjithashtu, i ndihmojnë pa u lodhur të tjerët që të shpëtojnë.