Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur fëmijët janë të pikëlluar

Kur fëmijët janë të pikëlluar

A je i pikëlluar për vdekjen e një familjari? Nëse po, si mund ta përballosh dhembjen? Shqyrto si i ka ndihmuar Bibla tre të rinj të përballojnë këtë situatë të vështirë.

HISTORIA E DAMIT

Dami

Në fillim dukej si një dhembje koke e zakonshme. Mirëpo, kur babit iu shtua dhimbja, mamaja njoftoi ambulancën. Akoma i mbaj mend mjekët ndërsa e merrnin. S’ma merrte mendja se po e shihja gjallë për herë të fundit. Ai vdiq tri ditë më vonë nga një aneurizëm. Isha vetëm gjashtë vjeçe.

Për vite me radhë fajësoja veten për vdekjen e babit. Risillja në mendje skenën kur e morën mjekët dhe pyesja veten: «Pse ndenja duarkryq? Pse s’bëra asgjë?» Shihja njerëz më të moshuar me probleme shëndetësore dhe mendoja: «Pse ata janë gjallë dhe babi im jo?» Me kalimin e kohës mami më ndihmoi të tregoja si ndihesha. Dhe, si Dëshmitarë të Jehovait, kongregacioni ishte një mbështetje e jashtëzakonshme.

Disa mendojnë se është normale të pikëllohesh menjëherë pasi ndodh fatkeqësia dhe pastaj ta kalosh. Mirëpo, me mua nuk ndodhi kështu. E mbajta dhembjen përbrenda deri në fillim të adoleshencës.

Këshilla ime për të rinjtë që kanë humbur një prind, është: «Fol me dikë për atë që po kalon. Sa më shpejt të tregosh si ndihesh, aq më e lehtësuar do të jesh.»

Është e vështirë sepse në momentet më të rëndësishme të jetës sime nuk e kam pranë babin. Por më ngushëllon premtimi i Biblës te Zbulesa 21:4, që thotë se së shpejti Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë [tanë]. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më».

HISTORIA E DERIKUT

Deriku

Disa nga kujtimet më të bukura që kam me babin janë peshkimi dhe kampingjet në mal. Atij i pëlqenin shumë malet.

Kishte ca kohë që babi vuante nga zemra. Më kujtohet që, kur isha i vogël, shkova e pashë në spital një a dy herë. Por nuk e kuptoja sa rëndë ishte. Ai vdiq nga zemra kur isha nëntë vjeç.

Pas vdekjes së tij qava pa pushim. S’mbushesha dot me frymë nga dhembja e s’doja të flisja me asnjë. Nuk isha ndier kurrë kaq keq dhe s’më vinte të bëja më asgjë. Në fillim grupi i të rinjve të kishës ku shkoja u interesua për mua, mirëpo ky interes u venit shpejt. Njerëzit atje thoshin gjëra si: «I erdhi ora», «E mori Zoti» apo «Tani është në qiell». Këto arsye nuk m’u dukën kurrë bindëse, por nuk e dija se çfarë mësonte vërtet Bibla.

Pastaj mami filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait; më vonë fillova edhe unë me vëllanë. Mësuam për gjendjen e të vdekurve, si edhe për premtimin ngushëllues të Perëndisë për ringjalljen. (Gjoni 5:28, 29) Por, shkrimi që më ndihmoi më shumë ishte Isaia 41:10, ku Zoti thotë: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj.» Dijenia se kisha Jehovain në krah, më ngushëlloi jashtë mase gjatë asaj periudhe dhe akoma më ngushëllon.

HISTORIA E XHENIT

Xheni

Mami im vdiq nga kanceri kur isha shtatë vjeçe. E gjithë ajo ditë m’u duk si ëndërr e keqe. Mbaj mend që vdiq në shtëpi. Aty ishin edhe gjyshërit. Kujtoj që të gjithë ishin të qetë. Për darkë hëngrëm vezë të rrahura të skuqura. Ndihesha sikur e gjithë jeta po më shembej avash-avash.

Në atë kohë—dhe vite pas kësaj—mendoja se duhej të bëhesha e fortë për motrën e vogël, kështu që nuk e shprehja hidhërimin. Që atëherë më është bërë zakon ta ndrydh dhembjen, dhe kjo s’më bën mirë.

Nuk më harrohet dashuria dhe mbështetja që na dha kongregacioni vendës i Dëshmitarëve të Jehovait. Ndonëse sapo kishim filluar të shkonim në mbledhje, në Sallën e Mbretërisë, të gjithë bashkëbesimtarët na u gjendën pranë si të ishim familje prej vitesh. Mendoj se babit nuk iu desh të gatuante darkën për një vit të tërë se gjithmonë e gjenim darkën te dera.

Një shkrim shumë i veçantë për mua është Psalmi 25:16, 17. Aty psalmisti i përgjërohet Zotit: «Ktheje fytyrën nga unë dhe më jep hir, sepse jam vetmitar dhe i munduar. Brengat e zemrës më janë shtuar. Më nxirr nga hallet e mia.» Më ngushëllon shumë mendimi se nuk je kurrë vetëm kur je i trishtuar: ke Perëndinë pranë! Bibla më ka ndihmuar të vazhdoj jetën e të përqendrohem në gjëra pozitive, siç është premtimi i saj ngushëllues për ringjalljen. Kam shpresë se do ta shoh prapë mamin në parajsën në tokë e do ta njoh më mirë ndërsa gëzon shëndet të përsosur.2 Pjetrit 3:13.

Dëshiron të mësosh më shumë për mesazhin e Biblës që ngushëllon të pikëlluarit? Shkarko një kopje falas të broshurës «Kur të vdes një njeri i dashur». Vizito sitin www.dan124.com dhe shih te BOTIME > LIBRA DHE BROSHURA.