Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nevojitet shumë punë për rimodelimin e degës së Japonisë (majtas) dhe zgjerimin e godinës në Angolë (djathtas)

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Projekte ndërtimi që çojnë përpara veprën e predikimit

Projekte ndërtimi që çojnë përpara veprën e predikimit

20 TETOR 2023

 Trupi Udhëheqës përdor një pjesë të fondeve të dhuruara për projekte ndërtimi që çojnë përpara veprën e predikimit. Për shembull, gjatë vitit të shërbimit 2023, entet ligjore të zyrave të degëve të Dëshmitarëve të Jehovait shpenzuan mbi 500 milionë dollarë për blerjen, ndërtimin, rinovimin dhe mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë dhe Sallave të Asambleve përreth botës. a Kjo, përveç shumës që përdorën kongregacionet në të gjithë botën për t’u kujdesur për Sallat e tyre të Mbretërisë.

 Gjithashtu, fondet e dhuruara përdoren për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e godinave të degëve, të cilat ndihmojnë në organizimin dhe mbështetjen e veprës së predikimit përreth botës. Kemi thjeshtuar punën në zyrat e degëve që t’i përdorim fondet për ndërtimin dhe rinovimin e Sallave të Mbretërisë dhe Sallave të Asambleve. Megjithatë, nevojiten goxha fonde për rinovimin, rimodelimin dhe zhvendosjen e godinave të zyrave të degëve. Pse janë të rëndësishme këto projekte? Si e mbështetin degët aktivitetin jetësor që kryhet në predikim? Le ta zbulojmë.

«Ripërtërihen»

 Shumë zyra degësh janë mbi 30 ose 40-vjeçare. Nikolasi, nga Departamenti Botëror i Projektim-Ndërtimit, tregon: «Edhe godinat më të mirëmbajtura vjetrohen e prishen me kalimin e kohës. Falë rinovimeve, godinat ripërtërihen e kështu u shtohet jetëgjatësia.»

 Edhe komplekset e Bethelit duhet të përshtaten me nevojat aktuale të organizatës. Që nga koha kur janë ndërtuar shumë zyra degësh, numri i lajmëtarëve anembanë botës është rritur ndjeshëm. Ndaj, për të mbështetur këtë rritje, kemi nevojë për më shumë vullnetarë. Si rezultat, godinat që dikur kishin mjaft hapësirë, sot janë mbushur plot e përplot!

 Duhet marrë parasysh edhe siguria. Teksa zhytemi thellë në ditët e fundit, përballemi gjithnjë e më tepër me katastrofa natyrore që na rrezikojnë jetën. (Luka 21:11) Kur zbatojmë teknikat e reja të ndërtimit gjatë rinovimit, krijojmë një ambient më të sigurt për ata që punojnë atje. Falë këtyre përmirësimeve, këto godina janë bërë qendra më të përshtatshme për të dhënë ndihma e për të mbështetur shërbimin kur ndodhin katastrofa natyrore.

‘Jehovai e ka bekuar këtë vendim’

 Nën drejtimin e Trupit Udhëheqës, gjatë vitit të shërbimit 2023 filloi puna e ndërtimit në 43 zyra degësh. Pra po punohej me thuajse gjysmën e godinave Bethel në të gjithë botën. Vini re disa shembuj që theksojnë vlerën e kësaj pune.

 Angolë. Meti, anëtar i Komitetit të Degës së Angolës, thotë: «Kemi privilegjin të shohim përmbushjen e profecisë së Hageut 2:7 në një mënyrë të mrekullueshme. Në vetëm dhjetë vjet kemi parë një rritje prej 60 për qind në numrin e lajmëtarëve. Si rrjedhojë duhej të trefishohej numri i anëtarëve të familjes Bethel. Por, godinat ekzistuese e kufizonin numrin e vullnetarëve që mund të ftonim. Ndaj, shumë bethelitë duhej të punonin më tepër, e madje shpesh jashtë orarit.»

Është më e lehtë të jesh produktiv në zyrat e reja (djathtas)

 Për të shqyrtuar si të përmbushej kjo nevojë, u caktuan disa vëllezër. Fillimisht, ata menduan që zgjidhja më e shpejtë dhe më praktike ishte të rinovonin godinën ekzistuese të degës. Por, pas një shqyrtimi të hollësishëm, kuptuan se kjo nuk ishte mënyra më e mirë për të përdorur fondet e dhuruara. Ndaj sugjeruan blerjen dhe rinovimin e një ndërtese aty afër. Meti thotë: «Kur kjo ide iu prezantua Komitetit të Degës, kishim merakun nëse godina e blerë do të ishte aq e përshtatshme sa ajo e ndërtuar nga vetë ne. Por tani e shohim sa mirë i plotëson nevojat tona ky projekt dhe sa e ka bekuar Jehovai këtë vendim.»

Shtëpitë e çmontueshme në pronën e degës ekzistuese strehojnë më tepër punëtorë për të mbështetur veprën e predikimit

 Dega e Angolës ndoshta do të ketë nevojë për më shumë hapësirë në të ardhmen. Gjithsesi, ndërtesa e re, shtëpitë e çmontueshme në ambientin e Bethelit dhe apartamentet me qira jashtë tij kanë siguruar hapësirën e nevojshme për të mbështetur rritjen e jashtëzakonshme.

Shumë motrave u pëlqen të punojnë në projektin e degës në Angolë

 Japoni. Godinat kryesore të degës janë ndërtuar rreth 40 vjet më parë dhe në shumicën prej tyre nuk janë bërë rinovime të mëdha. Me gjithë përpjekjet për t’i mirëmbajtur këto godina, ato ishin përdorur për një kohë shumë më të gjatë nga ç’ishte planifikuar. Ja pse po zbatohet një projekt më i madh rinovimi.

 Përgjatë viteve në Bethel kanë ndodhur shumë ndryshime. Deri në 2015-n, familjes Bethel i siguroheshin të gjitha vaktet, prandaj dhomat kishin veçse një kuzhinë të vogël. Ndërsa tani, bethelitët duhet t’i përgatisin vetë shumicën e vakteve. Pas rinovimit, kuzhina është zgjeruar duke ua bërë më të thjeshtë të gatuajnë në dhomë. Kumiko, një motër në degën e Japonisë, thotë: «Kuzhina më bën të ndihem si në shtëpi dhe më ndihmon t’i mbështes plotësisht rregullimet e reja në Bethel.»

Kuzhinat e reja (djathtas) u përshtaten më shumë nevojave të familjes Bethel

 Puna e kryer në këtë degë luan një rol të rëndësishëm në veprën mbarëbotërore të predikimit. (Mateu 28:19, 20) Japonia është një ndër dy degët ku shtypet Bibla e plotë. Ndaj, një aspekt i rëndësishëm i projektit aktual të ndërtimit është instalimi i sistemit të thithjes së pluhurave dhe mbeturinave të letrës për sigurinë e punëtorëve në shtypshkronjë. Blerja dhe instalimi i këtij sistemi, i cili kushton rreth një milion dollarë, i mundëson degës shtypjen dhe dërgimin e ushqimit besimforcues.

Sistemi i prerjes së botimeve dhe thithjes së pluhurave rrit nivelin e sigurisë për punëtorët në shtypshkronjë

 Edhe gjatë punimeve kishte përparësi prodhimi i Biblës. Trei, një anëtar i Komitetit të Degës së Japonisë, tregon: «Gjatë asaj periudhe, organizata jonë ka nxjerrë më shumë përkthime të Biblës dhe kërkesa për to sa vinte e shtohej në gjithë botën. Për të planifikuar instalimin e pajisjeve të reja dhe prodhimin e botimeve, kërkohej një bashkëpunim shumë i mirë midis departamenteve të ndryshme dhe sipërmarrësit.» Pavarësisht nga vështirësitë, gjatë pikut të ndërtimeve në shtypshkronjë, nga marsi deri në gusht të 2023-shit, u shtypën përafërsisht 220.000 Bibla në muaj. Gjithë kjo punë u arrit pa kosto shtesë në ndërtim.

 Një tjetër faktor i rëndësishëm në projektin e rinovimit është edhe kursimi i energjisë. Montimi i paneleve të reja diellore do të kursejë rreth 120.000 dollarë në faturën vjetore të energjisë elektrike, kurse i dritareve me xham të trefishtë rreth 10.000 dollarë. Ndonëse këto pajisje për kursimin e energjisë rrisin kostot e projektit të rinovimit, gjatë gjithë kohës së përdorimit të tyre do të ulin shpenzimet me 3.5 milionë dollarë, e gjithashtu do të pakësojnë edhe ndotjen e ambientit.

Dritaret me xham të trefishtë reduktojnë kostot e energjisë elektrike

«Ka ende shumë për të bërë»

 Projektet e këtyre dy degëve na tregojnë sa përpjekje duhen për t’u siguruar që godinat e Bethelit të mbështetin nevojat në predikim. Gjithsesi, puna ende s’ka përfunduar. Siç thotë edhe Aroni nga Departamenti Botëror i Projektim-Ndërtimit: «Është bërë goxha punë, por ka ende shumë për të bërë.» Si do të realizohen këto projekte? Ai vazhdon: «Përveç kontributeve bujare, të cilat financojnë këto projekte të rëndësishme, vlerësojmë edhe gatishmërinë e gjithë vullnetarëve në të shkuarën dhe të atyre që po planifikojnë të na bashkohen në të ardhmen. Mbështetja fizike dhe financiare nga vëllezërit tanë është një provë e pamohueshme e bekimit të Jehovait.»—Psalmi 110:3.

 Gjithë puna e ndërtimit dhe rinovimit mbështetet nga kontributet vullnetare, mjaft prej të cilave bëhen në donate.dan124.com. Ju falënderojmë me gjithë zemër për dhurimet tuaja bujare.

a Të gjitha shumat në dollarë, që janë përmendur në artikull, i referohen dollarit amerikan.