Kalo te përmbajtja

Tabela Watchtower—Pikë referimi prej shumë kohësh në Bruklin

Tabela Watchtower—Pikë referimi prej shumë kohësh në Bruklin

Ditë e natë, për më tepër se 40 vjet, shkronjat 4,6 metra sipër selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait kanë qenë një pamje e njohur për banorët e qytetit të Nju-Jorkut, mjaft prej të cilëve e përdorin për të parë orën dhe temperaturën.

Ebonia, e cila e shikon tabelën nga apartamenti i saj në Bruklin, tha: «Të shoh nga dritarja orën dhe temperaturën para se të shkoj në punë, është një ndihmë. Kështu jam e përpiktë dhe vishem sipas motit.»

A do të vazhdojë ta tregojë orën dhe temperato. Me planin e ri të shpërnguljes së selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në veri të Nju-Jorkut, ky vendim ngelet në dorë të pronarëve të ardhshëm të ndërtesës.

Më shumë se 70 vjet më parë, pronari i mëparshëm i ndërtesës vendosi një tabelë. Dëshmitarët e Jehovait i dhanë pamje të re tabelës, kur e blenë ndërtesën në vitin 1969.

Tabela kërkon rregullisht mirëmbajtje. Për të kanë punuar disa breza të rinjsh, të cilët kanë bërë riparimet e nevojshme orar pa orar.

Një punëtor i turnit të natës kujton: «Një mbrëmje morëm një telefonatë nga një gazetar lajmesh në televizion. Telefonoi që të na thoshte se ora në tabelën tonë ishte 15 sekonda prapa. Donte që ta rregullonim që ta nxirrte në programin e asaj nate. Shpejt, një teknik i përgjumur iu fut punës për ta rregulluar.»

Që të jetë më e efektshme dhe më e saktë, tabela është modifikuar disa herë. Në mes të viteve 1980, përveç orës dhe temperaturës në farenhait, tabelës iu shtua edhe temperatura në celsius.

Në vitin 2009, neonet që ndriçonin tabelën të cilët harxhonin goxha, u zëvendësuan me llamba të teknologjisë LED që janë më jetëgjatë dhe që kursejnë mbi 4.000 dollarë çdo vit për koston e mirëmbajtjes. Sot kjo tabelë harxhon vetëm një pjesë të vogël të rrymës elektrike që harxhonte dikur.