Kalo te përmbajtja

Habtemikael Tesfamariami me të shoqen, Leterberhan Bezabihin, para se të burgosej

25 PRILL 2018
ERITRE

Dy Dëshmitarë të moshuar humbin jetën në një burg të Eritresë

Dy Dëshmitarë të moshuar humbin jetën në një burg të Eritresë

Në fillim të 2018-s, në burgun Mai-Serua pranë Asmarës, humbën jetën dy Dëshmitarë të Jehovait, Habtemikael Tesfamariami dhe Habtemikael Mekoneni. Të dy ishin arrestuar e burgosur në verën e 2008-s për shkak të bindjeve të tyre fetare, dhe vuajtën thuajse një dekadë në kushte të tmerrshme burgimi.

Z. Tesfamariam vdiq papritmas në burgun Mai-Serua më 3 janar 2018, në moshën 76-vjeçare. Të burgosurit e tjerë mendojnë se i ra iktus. Z. Tesfamariam lindi më 1942 në Adi-Jakulu, Mendeferë, Eritre. U bë Dëshmitar i Jehovait në vitin 1970 dhe nuk pranoi të bënte kompromis me besimin e tij, pavarësisht nga burgimi i padrejtë dhe nga keqtrajtimi. Ai la pas të shoqen, Leterberhan Bezabihin, katër djem dhe tri vajza.

Z. Mekonen vdiq në burgun Mai-Serua më 6 mars 2018, në moshën 77-vjeçare. Të burgosurit e tjerë mendojnë se vdiq për shkak të mosfunksionimit të veshkave. Z. Mekonen lindi më 1940 në fshatin Kudo-Felasi në Eritrenë Jugore. U bë Dëshmitar mbi 55 vjet më parë dhe, ashtu si z. Tesfamariam, nuk pranoi të bënte kompromis me besimin e tij, edhe pse u burgos pa shkak dhe u keqtrajtua. Ai la pas të shoqen, Mihret Eliasin, dhe djalin e vajzën.

Arrestohen padrejtësisht dhe keqtrajtohen

Z. Mekonen ishte në shtëpi kur autoritetet e arrestuan pa ndonjë akuzë në korrik të 2008-s. Edhe z. Tesfamariam gjendej në shtëpi kur e arrestuan në gusht të 2008-s. Të dy i futën në kampin e burgut famëkeq të Meitirit, në shkretëtirën në veri të Asmarës, ku duruan kushte të ashpra e çnjerëzore. Për t’i ndëshkuar më tej, nga tetori i 2011-s deri në gusht të 2012-s, autoritetet i futën të burgosurit Dëshmitarë në një strukturë gjysmë të groposur e njohur si «nëntoka». Aty të burgosurit vuajtën të nxehtin përvëlues të verës pa ushqim ose ujë të mjaftueshëm. Si pasojë, disa patën probleme shëndetësore për një kohë të gjatë.

Më 2017 autoritetet i transferuan Dëshmitarët nga kampi i Meitirit në burgun Mai-Serua, ku lejohen të marrin pako me ushqime nga të afërmit, si edhe trajtim mjekësor kur janë në gjendje të rëndë. Të burgosurit ishin të kënaqur që po transferoheshin në një burg me kushte më të mira. Gjithsesi, z. Tesfamariam dhe z. Mekonen asnjëherë s’e morën veten plotësisht nga keqtrajtimi i mëparshëm.

Habtemikael Mekoneni me të shoqen, Mihret Eliasin, para se të burgosej

Z. Tesfamariam dhe z. Mekonen nuk janë të parët Dëshmitarë në Eritre që kanë vdekur në burg ose pak pas lirimit. Dy Dëshmitarë të tjerë vdiqën në burg dhe tre të tjerë vdiqën pak pasi u liruan, për shkak të keqtrajtimit dhe të kushteve çnjerëzore të burgimit. Të paktën shtatë Dëshmitarë që u liruan nga burgu disa vite më parë vuajnë akoma nga probleme serioze shëndeti, që lidhen direkt me keqtrajtimin në burg. Në Eritre, pesëdhjetë e tre Dëshmitarë janë ende të burgosur për shkak të besimit, përfshirë vëllanë e z. Tesfamariam, Tareken.

Përndjekja përbën «krim kundër njerëzimit»

Më 8 qershor 2016 Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut botoi një raport të bazuar në përfundimet e Komisionit Hetimor të të Drejtave të Njeriut në Eritre (COIE), të cilin këshilli e kishte caktuar të hetonte shkeljen e të drejtave të njeriut në Eritre. COIE-ja e nxiti Eritrenë «të respektojë lirinë e fesë ose të besimit» dhe «t’u japë fund arrestimeve arbitrare dhe burgosjes së individëve për shkak të bindjeve fetare, sidomos të atyre që janë pjesë e grupeve të caktuara fetare, si Dëshmitarët e Jehovait, . . . dhe t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë ata që janë burgosur padrejtësisht dhe arbitrarisht». COIE-ja arriti në përfundimin se përndjekja për arsye fetare përbën «krim kundër njerëzimit».

Dëshmitarët e Jehovait shpresojnë që vdekja e z. Tesfamariam dhe e z. Mekonen të mos kalojë pa u vënë re nga komuniteti ndërkombëtar dhe që këto tragjedi të nxitin zyrtarë të ndershëm e të paanshëm në Eritre të veprojnë në favor të atyre që janë burgosur padrejtësisht për besimin e tyre.