Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Ç’duhet të di për duhanin dhe cigaret elektronike?

Ç’duhet të di për duhanin dhe cigaret elektronike?

 «Aty ku jetoj unë, vështirë që një i ri nën moshën 25-vjeçare të mos ketë pirë kurrë duhan ose cigare elektronike.»—Julia.

Në këtë artikull

 Çfarë duhet të dish?

  •   Cigaret janë vdekjeprurëse. Nikotina—përbërësi kryesor i duhanit—është një substancë toksike që krijon varësi të fortë. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, «përdorimi i duhanit është shkaku kryesor dhe i shmangshëm i vdekjeve të parakohshme dhe i sëmundjeve në mbarë botën».

     «Punoj si ekografe në fushën e mjekësisë dhe ekot që kam parë, tregojnë sa ndikon duhani në trupin e pacientëve. Tronditem kur shikoj sasinë e pllakave në arteriet e atyre që ishin konsumatorë të duhanit. E dua aq shumë trupin tim, sa s’më shkon në mendje ta provoj duhanin.»—Tereza.

     A e dije? Cigaret përmbajnë rreth 7.000 kimikate, shumica e të cilave janë toksike. Çdo vit, miliona njerëz vdesin si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga duhani.

  •   Vaping i ekspozon përdoruesit ndaj kimikateve toksike. Vaping ose përdorimi i cigareve elektronike shkakton dëmtime në mushkëri dhe vdekje. Përveç kësaj, shumë produkte të cigareve elektronike kanë nikotinë, ashtu si cigaret. Ngaqë nikotina krijon shumë varësi, një fletëpalosje informative për cigaret elektronike, thoshte se ajo «e përgatit trurin e të rinjve për varësi ndaj drogave të tjera».

     «Disa produkte të cigareve elektronike kanë aroma të ëmbla, që u ngjajnë për shembull, karameleve ose qershive, dhe pëlqehen veçanërisht nga fëmijët e adoleshentët. Shija i bën t’i shpërfillin rreziqet.»—Miranda.

     A e dije? Avulli i cigareve elektronike nuk është vetëm ujë. Ai përmban grimca substancash të dëmshme—ku shpesh përfshihen metale të rënda—të cilat shkojnë në mushkëri.

 Rreziqe të mundshme nga duhani dhe vaping

  1.  (1) Aftësi të dëmtuara njohëse ose konjitive, si dhe probleme me përqendrimin e humorin, veçanërisht kur truri është në zhvillim

  2.  (2) Mishra dhëmbësh të acaruar dhe kavitete

  3.  (3) Inflamacion kronik të mushkërive dhe sëmundje të zemrës

     Përkeqësim të astmës

     Probleme me stomakun dhe të përziera

 Çfarë mund të bësh?

  •   Informohu. Mos beso çdo gjë që dëgjon—për shembull, që vaping nuk është i dëmshëm dhe se është një mënyrë e mirë për të lehtësuar stresin. Bëj kërkimet e tua dhe merre vendimin në bazë të informacionit.

     Parim nga Bibla: «Naivët i besojnë çdo fjale, por mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.»—Proverbat 14:15.

     «Kur mendon për efektet negative të duhanit dhe vaping, kupton se nuk është qejf pa pasoja, siç i bëjnë të duken moshatarët dhe të famshmit.»—Ivani.

     Për të menduar: A janë vërtet më të lumtur ata të rinj që përdorin duhanin dhe vaping? A janë më të përgatitur për situatat stresuese të jetës—tani dhe në të ardhmen? Apo janë duke mbjellë farat e problemeve të mëtejshme?

  •    Gjej mënyra produktive si ta menaxhosh ankthin. Te mënyrat e mira për të pakësuar ankthin, përfshihen aktivitetet e shëndetshme, siç mund të jenë ushtrimet, leximi dhe të kalosh kohë me shokë që të japin zemër. Ngaqë do të kesh shumë gjëra pozitive ku të përqendrohesh, nuk do ta ndiesh nevojën për të pirë duhan.

     Parim nga Bibla: «Ankthi ia rëndon zemrën njeriut, kurse një fjalë e mirë ia ngre zemrën peshë.»—Proverbat 12:25.

     «Njerëzit mendojnë se duhani dhe vaping heqin stresin. Por, faktikisht, efekti pozitiv që sjellin, do të jetë maksimumi për një kohë të shkurtër, ndërsa efekti negativ për tërë jetën. Ka mënyra më të mira për ta menaxhuar stresin.»—Anxhela.

     Për të menduar: Po ti, në cilat mënyra të efektshme mund ta përballosh stresin? Nëse ke nevojë për ndihmë, shih artikullin «Si ta përballoj ankthin?», në serinë Të rinjtë pyesin.

Të kërkosh ndihmë te substancat që krijojnë varësi për të përballuar ankthin, është si të hidhesh në det për të shmangur shiun; kjo vetëm sa do të t’i shtonte problemet

  •    Përgatitu që t’i rezistosh presionit të moshatarëve. Ai mund të vijë nga shokët e shkollës, por edhe nëpërmjet zbavitjes. Filmat, emisionet televizive dhe mediat sociale shpesh i paraqesin duhanin dhe vaping si gjëra qejfi dhe trendi.

     Parim nga Bibla: «[Njerëzit e pjekur] kanë stërvitur aftësinë dalluese, që të dallojnë si të drejtën, edhe të gabuarën.»—Hebrenjve 5:14.

     «Kur isha në shkollë, shumë moshatarë më respektonin ngaqë nuk pija duhan ose vaping. Pasi ua bëra të qartë qëndrimin tim, ata madje më mbronin. Prandaj, sado e çuditshme mund të duket, është mbrojtje ta bësh të qartë qëndrimin tënd.»—Ana.

     Për të menduar: A i reziston dot presionit të moshatarëve? A të kujtohen raste kur ia ke dalë? Nëse ke nevojë për ndihmë në këtë aspekt, shih kutinë «Kur shokët të bëjnë presion» në kapitullin 15 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2.

  •   Zgjidhi shokët me kujdes. Do të jesh më pak i tunduar të pish duhan ose vaping nëse edhe shokët e tu mendojnë njësoj si ti për këto praktika.

     Parim nga Bibla: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me të pamendët, do t’i shkojë keq.»—Proverbat 13:20.

     «Është vërtet një ndihmë të kesh shokë që kanë cilësi të tilla si vetëkontrollin dhe integritetin. Kur sheh rezultatet pozitive të sjelljes së tyre, do që të jesh edhe ti si ata.»—Kalvini.

     Për të menduar: Shokët e tu më të ngushtë, ta bëjnë më të lehtë të ndjekësh një stil jete të pastër e të shëndetshme apo më të vështirë?

 Ç’të themi për marihuanën?

 Shumë njerëz thonë se marihuana nuk është e dëmshme. Kjo është gënjeshtër!

  •   Të rinjtë që përdorin marihuanë rrezikojnë të krijojnë varësi ndaj saj. Studimet sugjerojnë se marihuana mund të ta dëmtojë përgjithmonë trurin, ku mund të përfshihet edhe rënia e IQ-së (koeficienti i inteligjencës).

  •   Sipas Administratës së Shërbimeve për Abuzimin me Substancat dhe Shëndetin Mendor, «studimet tregojnë se njerëzit që përdorin marihuanë ka më shumë të ngjarë të kenë probleme në marrëdhëniet me të tjerët, të kenë rezultate të ulëta në shkollë, të jenë më pak të suksesshëm në karrierë dhe më pak të kënaqur me jetën».

     «Më tundonte ideja të pija marihuanë, kryesisht sepse doja të provoja lehtësim nga ankthi. Por, kur mendova për varësinë që mund të më krijonte, paratë që mund të më harxhonte dhe pasojat shëndetësore, kuptova se marihuana vetëm sa do të ma përkeqësonte ankthin.»—Xhuda.