Kalo te përmbajtja

Kush ishte Gjon Pagëzori?

Kush ishte Gjon Pagëzori?

Përgjigjja e Biblës

 Gjon Pagëzori ishte profet i Perëndisë. (Luka 1:76) Lindi në vitin 2 p.e.s. dhe vdiq në vitin 32 të e.s. Zoti e caktoi që të përgatiste udhën për Mesinë, pra Krishtin. Gjoni e kreu këtë mision duke u predikuar bashkëkombësve judenj mesazhin e Perëndisë që t’i kthente zemrat e tyre te Perëndia.—Marku 1:1-4; Luka 1:13, 16, 17.

 Mesazhi i Gjonit i ndihmoi dëgjuesit me zemër të sinqertë të dallonin se Jezui nga Nazareti ishte Mesia i premtuar. (Mateu 11:10) Gjoni i nxiti dëgjuesit e tij të pendoheshin për mëkatet dhe të pagëzoheshin për të treguar se ishin penduar. (Luka 3:3-6) Ngaqë pagëzoi shumë veta, Gjoni u quajt Pagëzori ose Pagëzuesi. Jezui ishte personi më i rëndësishëm që pagëzoi Gjoni. aMarku 1:9.

Në këtë artikull

 Pse Gjon Pagëzori ishte unik?

 Misioni i Gjonit ishte parathënë: Nëpërmjet veprës së tij të predikimit, Gjoni plotësoi profecinë që fliste për lajmëtarin e Jehovait. (Malakia 3:1; Mateu 3:1-3) Gjoni tregoi se ishte ai që ‘do të bënte gati për Jehovain një popull të përgatitur’—pra ndihmoi bashkëkombësit e tij judenj të përgatiteshin që të pranonin mesazhin e përfaqësuesit kryesor të Perëndisë Jehova, Jezu Krishtit.—Luka 1:17.

 Çfarë realizoi gjatë jetës: Jezui tha: «S’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori, e megjithatë, ai që është i vogël në Mbretërinë e qiejve, është më i madh se ai.» (Mateu 11:11) Meqë Gjoni nuk ishte thjesht një profet por edhe «lajmëtari» i parathënë, asnjë shërbëtor i Perëndisë para tij s’mund të konsiderohej më i madh. Fjalët e Jezuit tregojnë edhe se Gjoni nuk do të jetë pjesë e Mbretërisë qiellore. b Ky profet besnik vdiq para se Krishti të çelte udhën për jetën në qiell. (Hebrenjve 10:19, 20) Megjithatë, Gjoni do të jetojë sërish këtu në tokë si nënshtetas i Mbretërisë së Perëndisë, me perspektivën për të shijuar përgjithmonë jetën në Parajsë.—Psalmi 37:29; Luka 23:43.

 Cilët ishin prindërit e Gjon Pagëzorit?

 Prindërit e Gjonit ishin Zakaria dhe Elizabeta. Zakaria ishte një prift jude. Lindja e Gjonit ndodhi falë një mrekullie, sepse mamaja e tij ishte shterpë, pra nuk mund të lindte fëmijë. Përveç kësaj, ajo dhe Zakaria ishin «mjaft të shkuar në moshë».—Luka 1:5-7, 13.

 Kush e shkaktoi vdekjen e Gjon Pagëzorit?

 Mbreti Herod Antipa dha urdhër që Gjonit t’i prisnin kokën. Këtë e bëri i shtyrë nga gruaja e tij, Herodiada. Ajo e urrente Gjonin, sepse ky i kishte thënë Herodit, i cili pretendonte se ishte jude, se, sipas ligjit jude, martesa e Herodit me Herodiadën ishte e jashtëligjshme.—Mateu 14:1-12; Marku 6:16-19.

 A ishin rivalë Gjon Pagëzori dhe Jezui?

 Kjo pikëpamje nuk gjen mbështetje askund në Bibël. (Gjoni 3:25-30) Në fakt, Gjoni e pranoi hapur se përgjegjësia e tij ishte të përgatiste udhën për Mesinë, jo të konkurronte me të. Gjoni tha: «Erdha të pagëzoja me ujë . . . që ai t’i bëhej i njohur Izraelit.» Pastaj shtoi: «Ky është Biri i Perëndisë.» (Gjoni 1:26-34) Pra, Gjoni ishte shumë i lumtur kur dëgjoi për suksesin e Jezuit në shërbim.

a Jezui «nuk kreu asnjë mëkat». (1 Pjetrit 2:21, 22) Ndaj ai nuk u pagëzua që të tregonte se ishte penduar. Me anë të pagëzimit e paraqiti veten për të bërë vullnetin e Perëndisë. Kjo përfshinte të jepte jetën për ne.—Hebrenjve 10:7-10.

b Shih artikullin «Kush shkon në qiell?»