Kalo te përmbajtja

Çfarë është mëkati i pafalshëm?

Çfarë është mëkati i pafalshëm?

Përgjigjja e Biblës

 Mëkati i pafalshëm përfshin veprimet e shoqëruara nga një qëndrim që e pengon përgjithmonë mëkatarin të marrë faljen e Perëndisë. Si zhvillohet një prirje e tillë?

 Zoti i fal ata që pendohen për mëkatet, që jetojnë sipas normave të tij dhe që tregojnë besim te Jezu Krishti. (Veprat 3:​19, 20) Megjithatë, një person mund të bëhet kaq kokëfortë në udhën e tij mëkatare, sa nuk do të ndryshojë kurrë qëndrim a sjellje. Bibla thotë se një njeri i tillë ka ‘një zemër të ligë që është ngurtësuar nga fuqia mashtruese e mëkatit’. (Hebrenjve 3:​12, 13) Ashtu si argjila që pasi piqet nuk mund të rimodelohet më, zemra e tij është rebeluar përgjithmonë ndaj Perëndisë. (Isaia 45:9) Për një person të tillë nuk mund të ketë kurrë një bazë për falje, kështu që ai ka kryer mëkatin e pafalshëm.​—Hebrenjve 10:26, 27.

 Disa krerë fetarë judenj në ditët e Jezuit kryen mëkatin e pafalshëm. Ata e dinin se forca që qëndronte pas mrekullive të Jezuit ishte fryma e shenjtë e Perëndisë, e prapëseprapë me ligësi thanë se fuqia e tij vinte nga Satana Djalli.​—Marku 3:​22, 28-​30.

Shembuj të mëkateve që mund të falen

  •  Blasfemi për shkak të padijes. Apostulli Pavël më parë kishte qenë blasfemues, por më vonë tha: «M’u tregua mëshirë, sepse isha në padije dhe veproja me mungesë besimi.»​—1 Timoteut 1:​13.

  •  Kurorëshkelje. Bibla flet për disa që më parë kishin kryer kurorëshkelje, por ndryshuan dhe Perëndia i fali.​—1 Korintasve 6:​9-​11.

«A kam kryer mëkatin e pafalshëm?»

 Nëse e urren me gjithë zemër udhën e mëparshme mëkatare dhe do që të ndryshosh, atëherë nuk ke kryer mëkatin e pafalshëm. Edhe nëse herë pas here bie në të njëjtin mëkat, Perëndia mund të të falë për aq kohë sa zemra jote nuk ngurtësohet përgjithmonë kundër tij.​—Isaia 1:18.

 Disa mendojnë se kanë kryer mëkat të pafalshëm sepse i brejnë ndjenjat e fajit. Megjithatë, Bibla thotë se jo gjithmonë mund t’u zëmë besë ndjenjave tona. (Jeremia 17:9) Perëndia s’na ka autorizuar të gjykojmë asnjë, as veten tonë. (Romakëve 14:​4, 12) Ai na fal edhe kur vetë zemra jonë vazhdon të na dënojë.​—1 Gjonit 3:​19, 20.

A bëri mëkat të pafalshëm Judë Iskarioti?

 Po. Nga lakmia, vodhi paratë që ishin ofruar për një qëllim të shenjtë. Madje u hoq sikur kishte merak për të varfrit ndërkohë që donte si e si të vidhte më shumë para. (Gjoni 12:​4-8) Kur Juda e kishte vënë zemrën përfundimisht në rrugën e keqe, e tradhtoi Jezuin për 30 monedha argjendi. Jezui e dinte se Juda nuk do të shfaqte kurrë pendim të sinqertë për atë që bëri dhe e quajti ‘bir të shkatërrimit’. (Gjoni 17:12) Kjo do të thoshte se kur Juda të vdiste, do të shkatërrohej njëherë e përgjithmonë, pa shpresën për t’u ringjallur.​—Marku 14:21.

 Juda nuk tregoi pendim të vërtetë për mëkatin e tij. Ai iu rrëfye krerëve fetarë me të cilët kishte komplotuar, por jo Perëndisë.​—Mateu 27:​3-5; 2 Korintasve 7:​10.