Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Martesa

Martesa

A është martesa thjesht një bashkim ligjor?

«Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»—Mateu 19:6.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Në sytë e Perëndisë, martesa është më tepër se një bashkim ligjor. Ajo është një lidhje e shenjtë midis një burri dhe një gruaje. Bibla thotë: «Që nga fillimi i krijimit ‘[Perëndia] i bëri ata mashkull dhe femër. Prandaj, burri do të lërë babanë e nënën, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ . . . Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» *Marku 10:6-9; Zanafilla 2:24.

Fjalët «atë që Perëndia e ka bashkuar» nuk nënkuptojnë se martesat paracaktohen në qiell. Por duke treguar se Krijuesi ynë është Nismëtari i martesës, Bibla thekson seriozitetin e këtij bashkimi. Çiftet që e shohin martesën në këtë dritë, e konsiderojnë si të shenjtë, si lidhje të përhershme, dhe kjo në vetvete ua forcon vendosmërinë për ta bërë të suksesshme martesën. Ata i rritin edhe më tepër gjasat për një martesë të suksesshme sidomos kur kërkojnë drejtim nga Bibla për të përmbushur rolet si burrë e grua.

 Cili është roli i burrit?

«Burri është kreu i gruas së tij.»—Efesianëve 5:23.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Që një familje të funksionojë mirë, njëri duhet të marrë vendimet përfundimtare për çështje të ndryshme. Bibla ia cakton këtë përgjegjësi burrit. Por kjo nuk i jep të drejtën të ushtrojë autoritet absolut ose të jetë prepotent. As nuk i jep të drejtën t’u bëjë bisht përgjegjësive, duke gërryer kështu respektin që gruaja ka për të dhe duke i shtuar asaj një barrë të panevojshme. Në fakt, Perëndia pret që ai të bëjë çmos që të kujdeset për gruan dhe ta nderojë si shoqen më të ngushtë dhe më të besuar. (1 Timoteut 5:8; 1 Pjetrit 3:7) Te Efesianëve 5:28 thuhet se «burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre».

Burri që e do vërtet gruan, vlerëson aftësitë e dhuntitë e saj dhe me respekt merr parasysh mendimin e saj, sidomos në çështje që mund të ndikojnë te familja. Ai nuk duhet të këmbëngulë në të tijën vetëm sepse është kreu i familjes. Kur Abrahami, një njeri me frikë Perëndie, nuk ia vuri veshin këshillës së mençur të gruas për një çështje familjare, Perëndia Jehova i tha: «Dëgjoje zërin e saj.» (Zanafilla 21:9-12) Abrahami u bind me përulësi dhe familja e tij gëzoi paqe e unitet, si edhe bekimin e Perëndisë.

Cili është roli i gruas?

«Gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj.» —1 Pjetrit 3:1.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Pak para se të krijonte një grua për njeriun e parë, Perëndia tha: «Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.» (Zanafilla 2:18) Plotësimi është diçka që të bën të plotë ose të përsosur. Pra, Perëndia nuk e krijoi gruan që të ishte njësoj si burri ose të konkurronte me të, por të ishte plotësimi i tij. Së bashku mund të përmbushnin caktimin e tyre nga Perëndia që të bënin fëmijë dhe të mbushnin tokën me pasardhës.Zanafilla 1:28.

Që të mund të përmbushte rolin e saj, Perëndia i dha gruas veçori ideale nga ana fizike, mendore dhe emocionale. Kur i përdor me mençuri dhe dashuri, ajo i kontribuon pa masë suksesit në martesë dhe e ndihmon burrin të ndihet i kënaqur dhe emocionalisht i sigurt. Në sytë e Perëndisë, një grua kaq e shkëlqyer është për t’u lavdëruar. *Proverbat 31:28, 31.

^ par. 5 Sipas Biblës, baza për divorc është tradhtia bashkëshortore.Mateu 19:9.

^ par. 14 Çiftet do të gjejnë mjaft sugjerime të dobishme për martesën dhe jetën familjare në rubrikën «Ndihmë për familjen» në revistën Zgjohuni!