Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN

Si të tregoni përzemërsi?

Si të tregoni përzemërsi?

 Me kalimin e viteve, disa të martuar tregojnë gjithnjë e më pak përzemërsi për njëri-tjetrin. A duhet të shqetësoheni nëse kjo po ndodh edhe në martesën tuaj?

 Çfarë duhet të dish?

 Përzemërsia është thelbësore për një martesë të fortë. Që trupi ynë të mbetet i fortë dhe i shëndetshëm, duhet të hamë e të pimë rregullisht. Po ashtu, që martesa të ushqehet e të forcohet, duhet të shfaqim rregullisht përzemërsi. Edhe nëse janë martuar prej dekadash, si burri edhe gruaja kanë nevojë që bashkëshorti ta sigurojë vazhdimisht se e do shumë dhe se kujdeset për të.

 Dashuria e vërtetë është altruiste. Ajo kërkon lumturinë e personit tjetër. Prandaj, një bashkëshort i kujdesshëm nuk tregon përzemërsi vetëm nëse papritur i lind dëshira për ta bërë këtë. Përkundrazi, e dallon kur tjetri ka nevojë për përzemërsi dhe përpiqet ta plotësojë këtë nevojë.

 Në përgjithësi gratë kanë më shumë nevojë se burrat për shprehje përzemërsie. Një burrë mund ta dojë shumë bashkëshorten. Ama, nëse e shpreh dashurinë vetëm në fillim e në fund të ditës ose vetëm para marrëdhënieve seksuale, gruaja mund të mos ndihet e sigurt nëse burri e do vërtet. Është shumë më mirë që përzemërsia të tregohet shpeshherë gjatë ditës dhe çdo ditë.

 Ç’mund të bësh?

 Tregojeni përzemërsinë me fjalë. Shprehje të thjeshta si «të dua» ose «i shtrenjti im» e bëjnë bashkëshortin të ndihet i vlerësuar.

 Parimi biblik: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.»​—Mateu 12:34.

 Sugjerim: Mos i kufizo shprehjet e përzemërsisë vetëm duke i thënë me gojë, por edhe shkruaji​—me një shënim, email ose mesazh.

 Tregojeni përzemërsinë me veprime. Një përqafim, një puthje a vetëm një kapje për dore mund të tregojë se i thua me tërë mend fjalët «të dua». Interesimi i vërtetë mund të tregohet edhe me një prekje të butë, një vështrim të dashur ose duke bërë ndonjë dhuratë herë pas here. Veç kësaj, një burrë mund ta ndihmojë bashkëshorten​—mbase të mbajë çantat, t’i hapë derën, të lajë enët, rrobat a të gatuajë diçka. Për shumë gra, këto nuk janë vetëm ndihmë praktike​—janë përzemërsi e treguar me vepra!

 Parimi biblik: «Të mos duam veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.»​—1 Gjonit 3:18.

 Sugjerim: Kushtoji bashkëshortit po atë kujdes që i kushtoje kur po njiheshit.

 Gjeni kohë për njëri-tjetrin. Kur gjeni kohë të rrini me njëri-tjetrin, kjo e forcon martesën dhe e siguron bashkëshortin se ju pëlqen shoqëria e tij. Pa dyshim mund të jetë e vështirë ta gjeni këtë kohë nëse keni fëmijë apo nëse çdo ditë duhet të flisni për shumë gjëra të domosdoshme. Mbase mund të planifikoni të bëni diçka të thjeshtë, si për shembull të dilni vazhdimisht për shëtitje—vetëm ju të dy.

 Parimi biblik: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.»—Filipianëve 1:10.

 Sugjerim: Disa çifte që kanë program të ngjeshur planifikojnë rregullisht mbrëmje romantike ose fundjavë që të rrinë vetëm me njëri-tjetrin.

 Njiheni më mirë njëri-tjetrin. Çdo njeri ka nevoja unike kur është fjala për përzemërsinë. Prandaj tregojini njëri-tjetrit si preferoni t’ju shprehet përzemërsia dhe shihni nëse duhet të bëni diçka më shumë. Pastaj bëni pa vonuar ashtu siç dëshiron bashkëshorti. Mos harroni, përzemërsia është thelbësore për një martesë të fortë.

 Parimi biblik: «Dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta.»—1 Korintasve 13:4, 5.

 Sugjerim: Në vend që të pretendosh përzemërsi, pyet veten: «Ç’mund të bëj që bashkëshorti të jetë më i përzemërt ndaj meje?»