Kalo te përmbajtja

Sipas Biblës, a është e përshtatshme ta duash veten?

Sipas Biblës, a është e përshtatshme ta duash veten?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla tregon se është e përshtatshme, e madje e nevojshme, ta duash veten në një masë të arsyeshme. Ndër të tjera, kjo do të thotë të kujdesesh për veten, ta respektosh e ta vlerësosh veten. (Mateu 10:31) Bibla nuk lartëson egoizmin, por i jep vendin që i takon dashurisë për veten.

Kë duhet të duam të parin?

  1.   Dashuria për Perëndinë duhet të zërë vendin e parë në zemrën tonë. Urdhërimi më i madh në Bibël thotë: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde.»​—Marku 12:28-30; Ligji i përtërirë 6:5.

  2.   Urdhërimi i dytë më i madh është: «Duaje të afërmin tënd si veten.»​—Marku 12:31; Levitiku 19:18.

  3.   Edhe pse në Bibël nuk ka një urdhër specifik për të dashur veten, urdhri «duaje të afërmin si veten» tregon se është normale e madje e dobishme ta duash e ta respektosh veten në një masë të arsyeshme.

Kë donte Jezui të parin?

 Jezui tregoi si të gjejmë ekuilibrin mes dashurisë për Perëndinë, dashurisë për të afërmin dhe dashurisë për veten, si edhe i udhëzoi dishepujt që të ndiqnin shembullin e tij.​—Gjoni 13:34, 35.

  1.   Jezui e donte Jehovain më shumë se këdo dhe e kreu me gjithë zemër veprën që i kishte caktuar i Ati. Ai u shpreh: «Që bota ta dijë se unë e dua Atin, ashtu si Ati më ka urdhëruar të bëj, kështu po bëj.»​—Gjoni 14:31.

  2.   Jezui e donte të afërmin dhe e shfaqi këtë dashuri duke u kujdesur për nevojat e të tjerëve, deri në atë pikë sa dha jetën e tij.​—Mateu 20:28.

  3.   Ai donte edhe veten në një masë të arsyeshme, pasi mori kohë të pushonte, të hante dhe të kënaqej me shoqërinë e dishepujve të tij dhe të atyre që i konsideronte si dishepuj të mundshëm.​—Marku 6:31, 32; Luka 5:29; Gjoni 2:1, 2; 12:2.

A do të kesh më pak respekt për veten ose më pak lumturi, po të duash më parë të tjerët?

 Jo, sepse ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, cilësia kryesore e të cilit është dashuria altruiste. (Zanafilla 1:27; 1 Gjonit 4:8) Kjo do të thotë se jemi projektuar që t’i duam të tjerët. Ndonëse dashuria për veten ka vendin e vet, jemi më të lumtur kur duam Perëndinë mbi gjithçka dhe përpiqemi të bëjmë gjëra të mira për të tjerët. Siç thotë Bibla «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh».​—Veprat 20:35.

 Sot disa njerëz thonë se lumturia vjen kur vë në vend të parë veten. Ata e zëvendësojnë urdhrin «duaje të afërmin» me «duaj veten». Megjithatë, përvojat sot tregojnë se kush ndjek këshillën e mençur të Biblës që «secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit», është më i lumtur e më i shëndetshëm.​—1 Korintasve 10:24.